Ahmeti pret shefin e OSBE Wahl: Beteja jonë është për dinjitet, barazi dhe Europë, jo për pushtet

Ahmeti pret shefin e OSBE Wahl: Beteja jonë është për dinjitet, barazi dhe Europë, jo për pushtet

Në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, Kryetari i BDIsë Ali Ahmeti, priti shefin e misionit të OSBEsë në Shkup, z. Kilian Wahl.
Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Wahl diskutuan për shumë çështje në vend dhe rajon, përfshirë integrimin europian, prioritetet e BDI për vendin dhe qytetarët, legjitimitetin, situatën në Maqedoni të veriut dhe Kosovë, etj.
Ahmeti i tha Wahl që BDI, pa asnjë mëdyshje dhe me të gjitha forcat e veta mbetet promovues i fuqishëm i frymës europiane dhe miqësisë me Amerikën në vendin tonë, prandaj, korniza negociuese me Bashkimin Europian duhet të zbatohet nga ne pa asnjë vonesë.
Partnerët në qeverinë pa legjitimitet etnik premtuan që për 3 deri në 6 muaj, do ta ndryshojnë kushtetutën.
BDI nuk do të lejojë devijim nga rrugëtimi europian dhe do të insistojë në ndryshimet kushtetuese sepse qytetarët janë të përcaktuar që të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian.
BDI nuk dëshiron dhe nuk do të jetë pjesë e kësaj qeverie, por po zhvillon betejë për dinjitet kombëtar nga nëpërkëmbja e përditshme dhe për respektim të Marrëveshjes së Ohrit si dhe orientim euroatlantik të vendit.
Pushteti nuk na intereson dhe me asnjë kusht nuk dhe në asnjë rrethanë kjo betejë e jona dhe mllefi i shqiptarëve nuk është dhe nuk do të jetë epsh për pushtet.
Nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit duhet të alarmohen për këto shkelje të rënda që po i bëhen marrëdhënieve ndëretnike dhe barazisë.
Z. Ahmeti theksoi që Gjykata mbivoutese Kushtetuese me porosi politike fshiu përkatësinë etnike, të qenurit shqiptar, ndërsa rradhën e ka edhe gjuha shqipe. Këto vendime për ne, janë të papranueshme.
Ndërsa në, rajon, pajtimi shqiptaro-serb me njohje të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë është domosdoshmëri dhe vetëm kjo do të sjellë paqe, stabilitet, siguri dhe rajon me perspektivë, ndërsa nevojitet edhe një marrëveshje e madhe historike në rajon për moscënim të integritetit teritorial të Maqedonisë së veriut nga fqinjtë e saj.
Këto procese historike dhe vizionare duhet të garantohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

MARKETING