Ahmeti: Ambasadori shqiptar në Shkup ka obligim kushtetues ndaj çdo shqiptari

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook në mbështetje të misionit të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Shkup, duke theksuar se roli i tij shkon përtej funksionit diplomatik dhe përfaqëson një detyrim kushtetues dhe kombëtar.
“Kjo nuk është çështje dëshire apo vullneti personal, por një obligim që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga misioni historik i shtetit shqiptar për të qenë pranë çdo shqiptari, pavarësisht ku ndodhet ai”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai vlerëson se misioni i përfaqësuesve të shtetit shqiptar jashtë kufijve përfshin përgjegjësi të veçanta për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e shqiptarëve kudo që ndodhen, veçanërisht në rajon.
Ahmeti ka dënuar çdo tentativë për të shtrembëruar këtë mision si ndërhyrje apo për ta përdorur në mënyrë politike, duke e konsideruar një veprim të qëllimshëm dhe të dëmshëm për interesat kombëtare. “Çdo përpjekje për të sulmuar këtë mision, apo për ta paraqitur si ndërhyrje, është një keqkuptim i qëllimshëm dhe një shërbim ndaj kauzave antikombëtare”, shkruan ai.
Ndryshe, sot njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka reaguar ndaj përfshirjes së ambasadorit të Shqipërisë në Shkup në çështjen e shkollës së Nerovës, duke lënë të kuptohet se zgjidhja e problemit u atribuua padrejtësisht ndërhyrjes diplomatike dhe jo punës së institucioneve të Maqedonisë së Veriut.