Agjenti i Simone Inzaghit: Ai do të kishte qëndruar nëse Interi do ta kishte fituar Ligën e Kampionëve

Agjenti i Simone Inzaghit, Federico Pastarello, ka zbuluar se trajneri italian do të kishte qëndruar te Interi nëse do ta kishte fituar Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar.
Pas largimit të Inzaghit drejt Al-Hilal u raportua shumë se trajneri italian kishe pasur një marrëveshje para finales së Ligës së Kampionëve, por Pastaello ka konfirmuar se vendimi për t’u bashkuar me sauditët erdhi vetëm pas humbjes 4-0 kundër PSG-së në finale.
“E vërteta është se ai kurrë nuk donte të hynte në detajet e një marrëveshjeje të mundshme përpara se të ndodhnin disa gjëra. Ai më tha me besim se nëse do ta kishte fituar Ligën e Kampionëve, nuk do të ishte larguar kurrë nga Interi”, ka thënë fillimisht Pastarello.
“Mund t’ju siguroj se vendimi erdhi pas finales dhe pas diskutimeve me drejtuesit e Interit”.
“Aspekti financiar ishte i rëndësishëm, por ai donte të testonte veten edhe jashtë vendit, dhe liga saudite është ndër më të rëndësishmet në botë, jo vetëm për potencialin e saj financiar, por edhe për cilësinë e kampionatit”.
“Al Hilal është gjithashtu klubi më i rëndësishëm në Azi për sa i përket historisë dhe numrit të tifozëve”, përfundoi agjenti i Inzaghit.