Agjencia detare e Britanisë: Një anije goditet me predhë pranë Omanit, ekuipazhi është i sigurt
Një anije është goditur sot nga një predhë rreth 18 milje detare në lindje të Khasabit, në Oman, duke shkaktuar zjarr që më vonë është shuar, njoftoi Qendra e Operacioneve të Tregtisë Detare e Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), transmeton Anadolu.
Në një njoftim, UKMTO-ja tha se ka marrë informacion për incidentin nga një burim i verifikuar.
Agjencia tha se goditja me predhë ka shkaktuar zjarr në bordin e anijes, i cili më vonë është shuar.
UKMTO-ja tha se nuk është raportuar asnjë ndikim mjedisor dhe se anija dhe ekuipazhi i saj janë të sigurt.
Agjencia nuk e bëri të ditur emrin e anijes, flamurin nën të cilin lundronte, pronësinë apo llojin e predhës së përdorur.
Ajo tha se autoritetet përkatëse po hetojnë incidentin dhe u bëri thirrje anijeve që lundrojnë në këtë zonë të tregojnë kujdes dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.
Më herët sot, Emiratet e Bashkuara Arabe akuzuan Iranin se kishte goditur me raketë një anije të Kompanisë Kombëtare të Naftës së Abu Dhabit (ADNOC) ndërsa ajo po kalonte në Ngushticën e Hormuzit. Kompania tha se nuk u raportuan të lënduar dhe se situata ishte vënë nën kontroll, ndërsa Irani nuk ka komentuar publikisht mbi këtë akuzë.

