Aggeler: Drejtësia duhet të shërbejë qytetarëve, jo të komplikohet prej ligjeve

Aggeler: Drejtësia duhet të shërbejë qytetarëve, jo të komplikohet prej ligjeve

Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, gjatë fjalës së saj në tryezën e rrumbullakët me temë “A na duhet një Ligj për Gjykatën Kushtetuese?”, që u mbajt në ambientet e kësaj gjykate, theksoi rëndësinë e rolit të gjyqësorit dhe domosdoshmërinë për ta ushtruar atë me përgjegjësi dhe në interes të qytetarëve.

“Kjo është një mundësi për të reflektuar se për kë punoni dhe pse jeni emëruar në këtë detyrë. Ligjet, sado të ndërlikuara të jenë, duhet dhe mund të funksionojnë për të mirën e qytetarëve,” deklaroi Aggeler, duke theksuar se ky është një moment vendimtar jo vetëm për Gjykatën Kushtetuese, por për të gjithë sistemin gjyqësor në vend.

Ambasadorja vlerësoi debatin e zhvilluar në gjykatë si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe rikthimit të besimit të qytetarëve në drejtësi. Ajo nënvizoi se përfshirja e opinionit publik është thelbësore për një sistem gjyqësor të pavarur dhe të fuqishëm.

“Transparenca jo vetëm që ndërton besim, por ndihmon në forcimin e pavarësisë gjyqësore, e cila është thelbësore për një demokraci të shëndetshme. Kushtetuta është themeli i institucioneve demokratike dhe garantuesja e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Roli i një Gjykate Kushtetuese të pavarur është të mbrojë këto vlera me vendimet e saj,” tha Aggeler.

Ajo përmbylli fjalën duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për reformimin dhe forcimin e sistemit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, me synimin që drejtësia të jetë e arritshme, e paanshme dhe e mbështetur në vlerat kushtetuese.

MARKETING