Ageler me mesazh për qytetarët e Maqedonisë: SHBA do të jetë gjithmonë pranë jush
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, para përfundimit të mandatit të saj, u është drejtuar qytetarëve përmes rrjeteve sociale me një mesazh mbështetjeje dhe besimi në të ardhmen e vendit.
Ajo theksoi se qytetarët e Maqedonisë së Veriut e meritojnë të jetojnë në vendin që dëshirojnë dhe se po largohet me besim në forcën, guximin dhe potencialin e tyre për ta realizuar këtë vizion. Sipas saj, SHBA do të vazhdojnë të jenë një partner i qëndrueshëm, duke ndarë ëndrrën për një shtet euroatlantik më të fortë, më të begatë, më të sigurt dhe plotësisht të integruar.
Aggeler vuri në dukje se gjatë mandatit të saj janë ndërmarrë hapa konkretë në disa fusha kyçe, përfshirë rritjen ekonomike dhe pavarësinë energjetike, reformat në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, arsimin dhe kulturën, integrimin euroatlantik, si dhe modernizimin e kapaciteteve të sigurisë. Ajo përmendi gjithashtu realizimin e projekteve strategjike infrastrukturore që forcojnë sigurinë rajonale dhe tregtinë.
“Gjatë tre viteve të fundit, partneriteti ynë është shndërruar në një miqësi të vërtetë. Takova qytetarë në mbarë vendin dhe ndava me ta biseda të hapura, shpresa, vizione dhe sfida të përbashkëta”, shkroi Aggeler.
Në mesazhin e saj përmbyllës, ambasadorja theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “do të qëndrojnë gjithmonë pranë Maqedonisë së Veriut” në realizimin e vizionit për një shtet më të fortë, më të sigurt dhe plotësisht të integruar në strukturat euroatlantike.
Kujtojmë se Angela Aggeler nuk do të vazhdojë më detyrën e ambasadores në RMV, pasi më 22 dhjetor presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi të tërheqë nga pozitat e tyre 29 ambasadorë, mes të cilëve edhe Aggeler.

