A janë afër bashkëpunimit Alternativa dhe Lëvizja BESA?!

A janë afër bashkëpunimit Alternativa dhe Lëvizja BESA?!

Alternativa ka mbaruar mbledhjen e Kryesisë Qendrore, ku, sipas deklaratës së zëdhënësit të tyre, Orhan Murtezani, është folur për temat aktuale politike në vend, por edhe për bashkëpunimin eventual me opozitën shqiptare, përfshirë këtu edhe Lëvizjen BESA.
“Kryesia Qendrore e autorizoi kryetarin Afrim Gashi që të bisedojë për çdo bashkëpunim eventual, qoftë ai bashkëpunim në suaza të Parlamentit ose edhe për bashkëpunim tjetër koalicionues.
Për një gjë të gjithë jemi të sigurt. Qytetarët kërkojnë dhe presin ndryshim dhe ne jemi të detyruar t’i përgjigjemi kërkesës së tyre. Para nesh janë disa sfida, ndërsa AlternAtivA që sonte shfaq gatishmëri të plotë për bashkëpunim në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Murtezani.
Ka disa ditë që në media qarkullojnë informacione se opozita shqiptare, Lëvizja BESA, Alternativa, por edhe “Grupi i Zjarrit” do të bashkëpunojnë për zgjedhjet e ardhshme.
Kryetari i Këshillit të komunës së Tetovës, Besar Durmishi, i cili është edhe anëtarë i Kryesisë së Lëvizjes BESA, gjatë ditës, ka deklaruar se ata janë të hapur për bashkëpunim me subjektet të cilët synojnë rrëzimin e partive që janë në pushtet.
“Është normale të ketë koalicione të ndryshme. Nuk do të thotë se është bërë koalicion as me Alternativën e as me ndonjë subjekt tjetër. Të gjitha subjektet politike synojnë që në procesin zgjedhor që do të vijë shumë shpejt, pra në zgjedhjet qendrore, të maksimizojnë elektoratin dhe ta realizojnë planin apo platformën me ardhhen në pushtet. Është normale që të ketë koalicione apo negociata të tilla me të gjitha subjektet jo vetëm më Alternativën por me të gjitha subjektet politike”, ka deklaruar Durmishi.

MARKETING