BDI: Të identifikohen dhe të ndëshkohen menjëherë komitët që rrahën brutalisht dy punonjës shqiptarë të Higjienës Komunale!

BDI: Të identifikohen dhe të ndëshkohen menjëherë komitët që rrahën brutalisht dy punonjës shqiptarë të Higjienës Komunale!

Bashkimi Demokratik për Integrim ka dënuar sulmin fizik ndaj dy punonjësve shqiptarë të Higjienës Komunale në Shkup, të cilët natën e 28 Nëntorit u sulmuan brutalisht nga një grup personash që, sipas reagimit të BDI-së, u identifikuan si “komitë”.

Nga BDI vlerësojnë se fakti që sulmuesit fillimisht i pyetën punonjësit nëse ishin shqiptarë dhe më pas i sulmuan, ngre dyshime serioze për motivim etnik.

BDI kërkon nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, dhe ministri Pançe Toshkovski, përgjegjësi institucionale, hetim të plotë, identifikimin e të gjithë sulmuesve dhe ndëshkimin e tyre.

“Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër sulmin fizik ndaj dy punonjësve shqiptarë të Higjienës Komunale në Shkup, të cilët natën e 28 Nëntorit u rrahën brutalisht nga një grup personash që vetë u identifikuan si komitë.

Fakti se sulmuesit fillimisht i pyetën punonjësit nëse janë shqiptarë dhe më pas i sulmuan, ndërkohë që ata mbanin uniformat e punës, ngre dyshime serioze për motivim etnik.

Kjo është e papranueshme në një shtet multietnik, ku siguria dhe barazia duhet të vlejnë për të gjithë qytetarët, pa dallim.

BDI kërkon nga zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, dhe ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski, përgjegjësi institucionale, hetim të plotë, identifikimin e të gjithë sulmuesve dhe ndëshkimin e tyre.

Kërkojmë:

Identifikimin e plotë të të gjithë pjesëtarëve të grupit që morrën pjesë në sulm;

Hetim të plotë dhe profesional për motivet e sulmit, përfshirë dyshimet për motivim etnik;

Ngritjen e procedurave përkatëse dhe ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve;

Sqarim publik se çfarë masash ka ndërmarrë dhe po ndërmerr MPB-ja për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Shqiptarët nuk duhet të kenë frikë të punojnë, të jetojnë dhe të lëvizin të sigurt në kryeqytetin e vendit të tyre!”, thuhet në reagimin e BDI-së.

MARKETING