(VIDEO) Trendafilov: Shporta minimale sindikale është rritur për 5300 denarë
5300 denarë është rritur shporta minimale sindikale për një vit, kryesisht nga dhjetori I vitit të kaluar deri më tani ndërkaq për mbi 2100 denarë është rritur vetëm gjatë 3 muajve të fundit, ka deklaruar për TV SHENJA kryetari i Lidhjes së Sindikatave Sllobodan Trendafilov. Ai thotë se mbi 5 mijë denarë barrë shtesë në buxhetin familjar, janë vetëm për të siguruar produktet dhe nevojat bazë që një vit më parë kushtonin më pak. Trendafilov theksoi se përballë këtij shtrenjtimi, shporta e Qeverisë paraqitet rreth 11 mijë denarë më e ulët, duke krijuar një pasqyrë që nuk reflekton barrën reale mbi familjet.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LIDHJES SË SINDIKATAVE TË RMV-SË
“Ajo që duhet të theksojmë është se vlera e shportës minimale konsumatore sindikale gjatë tre muajve të fundit është rritur pikërisht në pjesën e 63 produkteve bazë ushqimore, dhe atë për më shumë se 2.100 denarë, që është një shumë mjaft serioze. Nëse shihni se janë llogaritur vetëm nevojat bazë, atëherë dikujt që dëshiron të jetojë pak më normalisht, ndoshta i nevojiten dyfish apo trefish më shumë nga ato që parashikohen në shportën minimale sindikale. Vlera e shportës nga dhjetori i kaluar deri në këtë dhjetor është rritur për më shumë se 5.300 denarë.”.
Rritja e çmimeve po e bën gjithnjë e më të vështirë mbijetesën me të ardhurat ekzistuese. Trendafilov thotë se qytetarët tashmë po heqin dorë nga produkte të caktuara, madje edhe nga ato më të lira, ndërsa familjet që duhet të paguajnë qira, kredi apo këste, përballen me shpenzime shumë më të larta se nevojat minimale të llogaritura. Sipas tij, dy paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar as shportën mesatare qeveritare, ndërsa familjeve u mungojnë mijëra denarë për t’i përballuar shpenzimet mujore pa u borxhëruar.
SLLOBODAN TRENDAFILOV KRYETAR I LIDHJES SË SINDIKATAVE TË RMV-SË
“Shporta e Qeverisë është rreth 11.000 denarë më e ulët se vlera e shportës minimale konsumatore sindikale. Me gjasë, duan të tregojnë se me pagat në Maqedoni jetohet mirë, por edhe vetë shporta e tyre konfirmon se dy paga minimale nuk mund ta mbulojnë vlerën e shportës mesatare, ndërsa qytetarëve, edhe për të jetuar minimalisht, u mungojnë sërish rreth 6 deri në 8.000 denarë. Pikërisht për këtë kërkuam rritjen e pagave të punëtorëve për 6000 denarë, por ata ishin të shurdhër ndaj kërkesave tona”.
Trendafilov thotë është evidente rritja e çmimeve tani në prag të dhjetorit. Ai kritikon institucionet kompetente për të cilat thotë se nuk po ndërmarrin masa efektive për të frenuar rritjet e pajustifikuara të çmimeve, pavarësisht ligjeve dhe mekanizmave që kanë në dispozicion.
SLLOBODAN TRENDAFILOV KRYETAR I LIDHJES SË SINDIKATAVE TË RMV-SË
“Është për të ardhur keq që sa herë afrohen festat, përpiqen të pasurohen në kurriz të punëtorëve dhe qytetarëve. Por nuk shohim masa nga ana tjetër, nga Qeveria, të shpejta, efikase dhe efektive, të cilat do të kontribuonin në parandalimin e kësaj, do ta quaja, inflacioni të fshehtë. Ata kanë ligj për praktikat e padrejta tregtare, por nuk e zbatojnë. Nuk kanë as këtë rritje shtesë të gjobave dhe nuk kanë dënuar askënd. Me gjasë duan t’i frikësojnë vetëm me fjalë, por jo edhe me sanksione”.
Përderisa shpenzimet rriten me mijëra denarë, pagat nuk arrijnë ti mbulojnë ato, duke i lënë punëtorët të punojnë, por të mbeten të varfër. Sindikata kërkon rritje reale të pagave, përtej inflacionit, dhe masa konkrete që do të ndihen në buxhetet familjare. Sepse ata thonë se për qytetarët, standardi nuk matet me përqindje dhe deklarata, por me atë nëse paga mjafton për të mbushur shportën, paguar faturat dhe përfunduar muajin pa borxhe. Sindikatat alarmojnë se rritja e shportës konsumatore po e thellon varfërinë, ndërsa shifrat e Qeverisë për koston e jetesës gjithnjë e më shumë largohen nga realiteti i qytetarëve.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

