(VIDEO) MPB: Tre raste të përdorimit të flamurit “Autokton” në Shkup

(VIDEO) MPB: Tre raste të përdorimit të flamurit “Autokton” në Shkup

28 Nëntori u festua kudo ku jetojnë shqiptarët, ndërsa atmosfera festive nuk mungoi as në Shkup. Qyteti u mbush me flamuj kuqezi, këngë patriotike dhe qytetarë të shumtë që dolën në rrugë për të shënuar Ditën e Flamurit. Festimet vazhduan deri në orët e vona të natës, duke e kthyer kryeqytetin në një nga qendrat e kremtimit të kësaj feste kombëtare.

Por, krahas festës, në terren ishte edhe policia. Kësaj radhe, në fokus të saj ishin personat që mbanin flamuj me mbishkrimin “Autokton”. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë ditës së 28 Nëntorit janë evidentuar tri raste në Shkup. Nga atje njoftojnë se gjatë ditës së djeshme në orën 15:10, në rrugën “Gjorgje Petrov” në Shkup, zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet të tipit “Golf”, me targa të Tetovës, të cilin e ka  drejtontuar një 40-vjeçar nga Shkupi. Në automjet ishin vendosur dy flamuj të Shqipërisë së Madhe me mbishkrimin “Autochtonous”.

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

“Po atë ditë, në orën 15:30, në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, policia ka vërejtur një 21-vjeçar nga fshati Draçevicë i Shkupit, i cili në dorë mbante një flamur të Shqipërisë së Madhe me mbishkrimin ‘Autochtonous’. Ndërkaq, në orën 21:45, në kryqëzimin e rrugës ‘Gjorgje Petrov’ me rrugën ‘Kuzman Shapkarov’ në Shkup, policia ka ndaluar edhe një automjet të tipit ‘Citroen’, me targa të Shkupit, të drejtuar nga një 21-vjeçar nga fshati Saraj i Shkupit, në të cilin ishte vendosur një flamur i Shqipërisë së Madhe me mbishkrimin ‘Autokton”.

Nga MPB theksojnë se pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj personave në fjalë do të pasojnë parashtresat përkatëse.

Kujtojmë se ditë më parë, para shënimit të 28 Nëntorit, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paralajmëroi masa të shtuara të sigurisë, duke theksuar  se policia kishte informacione për veprime të mundshme që mund të cenojnë rendin dhe qetësinë publike. Ai kishte paralajmëruar qytetarët që festimet e Ditës së Flamurit të zhvilloheshin në mënyrë të qetë dhe pa incidente.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING