(VIDEO) Bora e parë mbuloi Shkupin, shkrihet shpejt
Pas ditëve të ftohta që kanë përfshirë kryeqytetin, më në fund Shkupi ka marrë pamjen e shumëpritur dimërore. Bora e parë e këtij sezoni e ka zbardhur kryeqytetin në orët e hershme të mëngjesit duke mbuluar rrugët, parqet dhe hapësirat publike. Reshjet kanë sjellë atmosferën e shumëpritur të dimrit, ndërsa pritet që temperaturat e ulëta të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Ndërkohë, temperaturat më të ulëta këtë mëngjes janë regjistruar në Kodrën e Diellit -6 gradë celsius, ndërsa në Mavrovë temperaturat kanë zbritur në -5 gradë celsius. Shtresa më e madhe e borës është regjistruar në Mavrovë, me 28 centimetra, në Krushevë 27, ndërsa në Kodrën e Diellit 18 centimetra. Në Tetovë ka 10, ndërsa në Kumanovë 9 centimetra borë. Në Shkup temperatura është 0 gradë, ndërsa në Tetovë dhe Kumanovë -1 gradë.
Si pasojë e rreshjeve të dëborës rruga para fshatit Skaçkovc, në drejtim të Sveti Nikollës, është e mbyllur për qarkullim pasi një kamion ka rrëshqitur dhe ka përfunduar tërthorazi në rrugë. Në fotografitë nga vendi i ngjarjes shihet kamioni që ka bllokuar rrugën, për shkak të të cilit qarkullimi është ndërprerë plotësisht. Supozohet se rruga e rrëshqitshme është bërë shkak për përplasjen e automjetit të rëndë.
Ndërkohë, në një komunikatë prej “Rrugët e Maqedonisë” thuhet se ndërmarrja publike për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e rrugëve nacionale dhe rajonale ka punuar në mënyrë aktive për të ruajtur sigurinë në trafik dhe se trafiku rrugor në vend po zhvillohet pa probleme gjatë 24 orëve të fundit. Në njoftimin për shtyp më tej theksohet se të gjitha kapacitetet e disponueshme dhe i gjithë mekanizimi janë vënë në funksion kudo në Maqedoni me qëllim pastrimin e borës në kohën e duhur.
Rrugët e Maqedonisë
“Ndalimi për automjete të rënda mallrash në rrugën Resnjë-Ohër Qafa e Bukovës është hequr, kurse është hequr gjithashtu edhe ndalesa në rrugën nacionale A3 në rrugën Dellçevë-Kalimi kufitar-Dellçevë. Trafiku në këto pjesë po zhvillohet pa probleme. Ekipet e Rrugët e Maqedonisë” mbeten në terren dhe u bëjmë thirrje shoferëve që të përshtatin drejtimin e automjeteve të tyre sipas kushteve të rrugës”.
Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, sot moti do të jetë i vranët, me reshje të herëpashershme bore dhe shiu.
Anida Murati /SHENJA/

