CENTCOM-i: SHBA-ja “nxori jashtë funksionit” një anije mallrash në Gjirin e Omanit

CENTCOM-i: SHBA-ja “nxori jashtë funksionit” një anije mallrash në Gjirin e Omanit

Forcat amerikane kanë nxjerrë jashtë funksionit një anije mallrash me flamur të Palaut në Gjirin e Omanit të enjten, pasi ekuipazhi i saj dyshohet se tentoi të shkelte bllokadën detare, njoftoi të premten Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, komanda që mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme bëri të ditur se një avion ushtarak goditi pjesën e pasme të anijes “M/V Pacific Archer”.

“Një avion ushtarak amerikan lëshoi municione precize që goditën pjesën e pasme të anijes… Në fund, sistemi i saj i shtytjes u nxor jashtë funksionit, ndërsa ekuipazhi civil nuk pësoi lëndime”, thuhet në deklaratë.

Sipas komandës, anija nuk iu bind disa paralajmërimeve, ndërsa tentonte të lundronte në ujërat e rajonit pasi ishte nisur nga porti iranian i Bandar Abbasit, në jug të vendit.

Komanda Qendrore e SHBA-së u bëri thirrje detarëve që lundrojnë në Gjirin e Omanit dhe në ujërat përreth Ngushticës së Hormuzit që t’u kushtojnë vëmendje paralajmërimeve për bllokadë të lëshuara nga forcat amerikane.

Ngushtica e Hormuzit është një rrugë ujore strategjike që lidh Gjirin me detet e hapura.

Washingtoni vendosi bllokadën detare ndaj transportit detar iranian në kuadër të luftës me Iranin.

Komanda bëri të ditur se forcat amerikane që zbatojnë bllokadën kanë devijuar 158 anije tregtare që iu bindën udhëzimeve të tyre.

Ajo njoftoi gjithashtu se gjashtë anije janë nxjerrë jashtë funksionit pasi refuzuan t’u bindeshin urdhrave për bllokadë.

Zyrtarët iranianë nuk kanë komentuar lidhur me incidentin.

MARKETING