Shefi i OKB-së paralajmëron për “pasoja shkatërruese” pas sulmit vdekjeprurës me dronë në Kuvajt
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka dënuar sulmin me dronë ndaj Kuvajtit, ku u vranë dy shtetas italianë dhe u plagosën dy të tjerë, duke paralajmëruar se rifillimi i armiqësive në rajon mund të ketë “pasoja shkatërruese” për Lindjen e Mesme dhe më gjerë, transmeton Anadolu.
Sulmi, i cili ndodhi më 26 nëntor, ka lënë të plagosur edhe një shtetas kuvajtian dhe një pakistanez, sipas një deklarate të bërë të premten nga zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Guterres ka shprehur solidaritetin me Kuvajtin dhe ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërsa të plagosurve u ka uruar shërim të shpejtë.
Shefi i OKB-së ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e vazhdueshëm të tensioneve në rajon, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin veprimet që mund të rrezikojnë më tej paqen dhe sigurinë rajonale.
“Rifillimi i armiqësive do të ketë pasoja shkatërruese për rajonin dhe më gjerë”, tha Dujarric, duke përcjellë mesazhin e sekretarit të përgjithshëm.
Guterres ka përsëritur se dialogu dhe diplomacia mbeten e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt paqes afatgjatë, duke theksuar nevojën për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm në një kohë kur stabiliteti rajonal mbetet gjithnjë e më i brishtë.

