VLEN: Edhe Tirana e konfirmoi se gjuha shqipe po avancon, propaganda e BDI-së mbetet pa treg
“Gjuha shqipe nuk është temë për fushata politike as mjet për të mbjellë frikë te qytetarët. Ajo është e drejtë e fituar dhe pasuri e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, e cila mbrohet dhe avancohet me punë konkrete, jo me alarme të rreme. Këtë po bën VLEN në qeveri, hap pas hapi”, thonë nga VLEN.
Sipas tyre, këtë punë e vlerësoi së fundmi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Ai falënderoi partitë politike shqiptare në qeveri për përpjekjet për avancimin e gjuhës shqipe, nga licencat deri te diskutimet për përdorimin e shqipes në gjyqësor(provimi i jurispudencës). Rama vlerësoi edhe qëndrimin e matur dhe të përgjegjshëm që këto parti kanë mbajtur për çështjen e gjuhës”.
“Pas një periudhe të gjatë debatesh dhe alarmesh të sajuara, del se kemi përfaqësim, kemi përparim, dhe sfida jonë është ta çojmë këtë përparim më tej. Përplasjet ndërmjet partive nuk përbëjnë një situatë alarmante për shqiptarët, ashtu siç BDI përpiqet ta paraqesë ditë për ditë”.
“Kosova, me kryeministrin Albin Kurti, e mbështet bashkëpunimin me këtë qeveri, e tani edhe kryeministri Rama ka vetëm fjalë të mira. Kur dy kryeministrat shqiptarë mbështesin dhe thellojnë bashkëpunimin ndërshqiptar, BDI-së i mbyllen të gjitha dyert ku mund ta shesë tregimin e rremë se shqiptarëve po u merret diçka”, thonë nga VLEN.
Më tej ata thonë se provimet në gjuhën shqipe, Korridori 8, Universiteti “Nënë Tereza”, rruga Tetovë-Prizren, rruga Shkup-Bllacë dhe One Stop Shop janë vetëm disa nga projektet madhore të kësaj qeverie, e për të cilat ndjehen krenare si Shqipëria edhe Kosova.
“BDI duhet t’i japë llogari popullit për mënyrën se si e ka keqpërdorur këtë çështje për qëllime politike. VLEN do të vazhdojë punën me përgjegjësi për çdo të drejtë të shqiptarëve dhe për çdo hap përpara të gjuhës shqipe”, thonë nga BDI.

