Trump: Fitorja ndaj Iranit është “afër”, po i japim Teheranit mundësi për marrëveshje

Trump: Fitorja ndaj Iranit është “afër”, po i japim Teheranit mundësi për marrëveshje

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të enjten se fitorja mbi Iranin është “afër” ndërsa theksoi se administrata e tij po i jep Teheranit çdo mundësi për të arritur marrëveshje dhe për të shmangur humbjet e mëtejshme të jetëve, transmeton Anadolu.

Duke folur gjatë telefonatave të Ditës së Falënderimeve me anëtarët e shërbimit amerikan, Trump tha se rezultati i konfliktit do të varet nga vendimi i tij ndërsa shprehu pasiguri nëse Irani do të pranonte marrëveshje.

“Ne e kemi fitoren në dorë (në Iran). Do të jetë kurdoherë, pak a shumë, siç dua unë. Për të qenë i sinqertë, ne po përpiqemi të jemi të mirë, po u japim atyre çdo shans për të bërë marrëveshje dhe për të shpëtuar shumë jetë. Por, nuk jam i sigurt nëse ata do ta shfrytëzojnë këtë”, tha ai.

“Disa njerëz pyesin pse. A janë të çmendur? Ndoshta janë”, shtoi ai. Trumpi vlerësoi trupat amerikane për rolin e tyre në luftën kundër Iranit, duke përsëritur se Washingtoni nuk do të lejojë Teheranin të sigurojë armë bërthamore.

“Secili prej jush po luan rol thelbësor për të mbrojtur jo vetëm vendin tonë sot, por gjeneratat e ardhshme të amerikanëve, duke siguruar që Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore. Ata nuk do të kenë kurrë armë bërthamore. Këtë mund t’ju them”, deklaroi ai.

– “Ne nuk përdorim naftë”

Trump tha se SHBA-ja ka lëshuar 150 raketa për të kapur kërcënimet që shënjestronin anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit. “Ne kemi lëshuar 150 raketa për të ndaluar raketat dhe dronët e armikut që të godasin anijet tregtare në ngushticë”, shtoi ai.

Duke argumentuar se SHBA-ja nuk varet nga nafta e Lindjes së Mesme, Trumpi tha se vendi ka burime të mjaftueshme energjetike, duke pretenduar se rezervat e tij të naftës së bashku me ato të Venezuelës përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit botëror.

“Ne nuk e përdorim naftën. Ne nuk kemi nevojë për naftë. Ne kemi qenë atje për një kohë të gjatë, duke mbrojtur Izraelin dhe duke mbrojtur Lindjen e Mesme”, tha ai. Trumpi tha se “SHBA-ja ka naftë më shumë se çdo vend tjetër” dhe pretendoi se “SHBA-ja ka marrë Venezuelën”, për të cilën ai tha se siguron miliarda fuçi shtesë naftë.

Megjithatë, Trumpi theksoi rëndësinë e ruajtjes së paqes në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se një Iran i armatosur me armë bërthamore mund të përbëjë kërcënim për Izraelin dhe vendet e tjera në rajon. “Por, ajo që na duhet është që ne kemi nevojë për paqe në Lindjen e Mesme, sepse pa të, ju keni shumë trazira”, tha presidenti amerikan.

MARKETING