(VIDEO) Tensione në Kuvend, LSH akuzon Gashin për mohimin e fjalës së deputetëve

(VIDEO) Tensione në Kuvend, LSH akuzon Gashin për mohimin e fjalës së deputetëve

Seanca e sotme e pyetjeve të deputetëve u zhvillua në tensione dhe akuza. Kryetari dhe deputetët e Lidhjes Shqiptare akuzuan kryetarin e Kuvendit se qëllimisht ata po i lë në fund të parashtrojnë pyetje, në mënyrë që të mos vije radha e tyre. Ziadin Sela ishte në listë i 10-ti, ndërsa Ilire Dauti e 15-ta.

Sinkron: Ziadin Sela, kryetar i Lidhjes Shqiptare

“Nëse ti mendon se mund ta ma ndalësh mua mikrofonin për të parashtruar pyetje deputetësh, nuk do ja arrish këtë gjë. I vogël je t’i për të ma ndal mua këtë gjë. Çdoherë i 10-ti, ka mbi 3-4 muaj që paraqitem për pyetje deputetësh dhe unë jam çdoherë i 10-ti në radhë në mënyrë që të mos më vije radha. Për korrektesë kam paralajmëruar muajin e  kaluar se në qoftë se kjo nuk gjen zgjidhje, nuk do ketë pyetje deputetësh”.

Ndërsa kryeparlamentari Afrim Gashi u kundërpërgjigj se lista bëhet konform rregullores së Kuvendit dhe në bazë të madhësisë së grupit parlamentar.

Sinkron: Afrim Gashi, kryeparlamentar

“Sa i përket radhitjes së listës së deputetëve që parashtrojnë pyetje të deputetëve, unë jam i bindur se kjo është konform rregullores dhe ashtu siç e parasheh rregullorja, unë e bëjë listën në bazë të raportit që është përcaktuar që është 2 me 1 në raport opozitë-pozitë dhe në bazë të madhësisë së grupeve të deputetëve që janë në opozitë”.

Me vetë faktin se pengoni parashtrimin e pyetjeve nga ana e deputetëve të cilët nuk janë të organizuar në grupe parlamentare, theksoi deputetja e Lidhjes Shqiptare Ilire Dauti, drejtëpërdrejtë shkelni demokracinë.

Sinkron: Ilire Dauti, deputete e LSH-së  

“Jam e fundit kësaj here, nuk dua t’i jap kuptimin personal, por dua të flas mbi këtë shkelje të fjalës së lirë dhe demokracisë që i bëhet aq më tepër që rregullorja e Kuvendit askujt, në asnjë moment nuk i’a jep të drejtën që ta vej veten në epërsi vetëm përshkak të faktit se qenka i organizuar në grup parlamentar”.

Edhe deputeti i LSH-së Elmi Aziri u shpreh se kjo është një çështje që shkon përtej një marrëveshje procedurale dhe se siç tha bëhet fjalë për një praktikë shqetësuese, mohimin e fjalës së deputetit, përmes perdorimit selektiv dhe kufizues të procedurave parlamentare.

Ndërsa akuzës së Selës se kryetari i Kuvendit bënë marrëveshje me BDI-në për t’i lënë në hije deputetët e tjerë, ju përgjigj Diana Toska, nga BDI duke e mohuar këtë gjë.

Sinkron: Diana Toska, deputete e BDI-së 

“BDI asnjëherë nuk ka lobuar që të jetë i pari apo i dyti në radhitjen e pyetjeve për deputetë. Kjo është bërë natyrshëm në bazë të numrit të deputetëve, i ka takuar dhe nuk mund të na apostrofoni neve si koalicion, e sidomos si BDI se gjoja kemi ndonjë marrëveshje me kryetarin apo me subjektet politike të cilat janë në pushtet”.

Duke qenë se deputetët e opozitës nuk lejuan vazhdimin e seancës me pyetje deputetësh, kryeparlamentari Afrim Gashi ftoi për koordnim, koordinatorët e grupeve parlamentare.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING