E ardhmja e Bruno Fernandes në dyshim, dy gjigantët italianë duan transferimin e tij

E ardhmja e Bruno Fernandes në dyshim, dy gjigantët italianë duan transferimin e tij

Juventusi ka shprehur interesim për transferimin e Bruno Fernandesit nga Manchester United, ndërsa e ardhmja e mesfushorit portugez në Old Trafford vazhdon të jetë e paqartë.

Sipas gazetës italiane Tuttosport, drejtuesit e Juventusit kanë shfaqur interesim për yllin portugez, kontrata e të cilit me Manchester Unitedin skadon në qershor të vitit 2027.

Klubi anglez ka mundësinë ta zgjasë marrëveshjen edhe për një vit, ndërsa palët kishin nisur diskutimet për rinovimin e kontratës. Megjithatë, Fernandes ka vendosur t’i pezullojë përkohësisht negociatat.

“Nuk është momenti i duhur. Për momentin, le të përqendrohemi vetëm te fitimi i ndeshjeve. Më pas mund të flasim përsëri për kontratën time, e cila nuk është e rëndësishme tani”, kishte deklaruar portugezi.

Juventusi nuk është klubi i vetëm italian që po e përcjell situatën e tij, pasi edhe Milani raportohet se ka shprehur interesim për shërbimet e tij, në rast se ai bëhet lojtar i lirë në fund të këtij sezoni.

Një rikthim në Itali do të ishte i veçantë për Fernandesin, i cili më parë ka luajtur për Novaran, Udinesen dhe Sampdorian.

Në garë mund të përfshihet edhe ish-klubi i tij, Sporting Lisbona. Madje, vetë mesfushori nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit te skuadra portugeze.

“Nuk do ta mbyll kurrë derën për një rikthim të mundshëm te Sportingu. Ai do të jetë gjithmonë një klub që ka një vend të veçantë në zemrën time”, ka deklaruar Fernandes.

Në anën tjetër, ofertat nga jashtë Evropës, përfshirë ato nga Arabia Saudite dhe MLS, nuk duket se janë në planet e tij.

MARKETING