Në Kuvend vazhdon debati mbikëqyrës për Alta Bankën

Në Kuvend vazhdon debati mbikëqyrës për Alta Bankën

Seanca mbikëqyrëse për rastin e “Alta Bankës” SHA Manastir do të vazhdojë sot në Komisionin për Financim dhe Buxhet pranë Kuvendit, me fillim në orën 11:00. Në fokus të vazhdimit të saj do të jenë dëshmitë e pjesëmarrësve të tjerë të ftuar nga Komisioni, mes tyre përfaqësues të institucioneve kompetente dhe të menaxhmentit të bankës.

Kryetarja e Komisionit, deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska, deklaroi një ditë para seancës se jo të gjithë të ftuarit e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Sipas saj, disa prej dëshmitarëve, për të dytën herë, kanë njoftuar se ndodhen në udhëtime zyrtare pikërisht në kohën kur është caktuar seanca.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, i cili ka vlerësuar se përgjegjësia për organizimin e seancës dhe sigurimin e pranisë së dëshmitarëve bie mbi organizatorët, përkatësisht LSDM-në.

Seanca e parë, e mbajtur më 12 nëntor, u shoqërua me përplasje të forta politike mes pushtetit dhe opozitës. Kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, shkëmbyen akuza lidhur me hyrjen e “Alta Bankës” në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut, si dhe përgjegjësinë për zhvillimet që lidhen me këtë institucion financiar.

Përmes dëshmive të sotme, Komisioni synon të sqarojë më tej rrethanat që çuan në vendosjen e administrimit në “Alta Bankë”, rolin e Bankës Popullore dhe përgjegjësinë e institucioneve kompetente në këtë rast.

MARKETING