Katari: Lindja e Mesme nuk mund të përballojë një tjetër përshkallëzim SHBA-Iran
Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani paralajmëroi të hënën se Lindja e Mesme nuk mund të përballojë një raund tjetër tensionesh midis SHBA-së dhe Iranit, transmeton Anadolu.
Transmetuesi me bazë në Katar, Al Jazeera citoi Sheikh Mohammed të ketë thënë se Doha po punon me Washingtonin dhe Teheranin për të rifilluar negociatat. Transmetuesi raportoi se nuk ka ende asnjë shenjë të mirëkuptimit midis dy palëve.
Sheikh Mohammed u takua me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio në Washington DC, për të nisur Dialogun e tetë Strategjik SHBA-Katar, duke e përshkruar forumin si qendror për marrëdhëniet dypalëshe dhe duke shprehur dëshirën e Dohas për të thelluar bashkëpunimin e mbrojtjes me Washingtonin.
Në raportin e tij për takimin, Departamenti amerikan i Shtetit tha se Rubio vlerësoi përpjekjet e ndërmjetësimit ndërkombëtar të Katarit dhe theksoi nevojën për koordinim të vazhdueshëm me Dohën “për të penguar kërcënimet dhe për të promovuar stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë Lindjen e Mesme”. Të dy diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin më të ngushtë në çështjet ekonomike dhe të sigurisë.
Tensionet midis Iranit dhe SHBA-së kanë vazhduar që nga fillimi i ofensivës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt.
Irani dhe SHBA-ja mbeten në mosmarrëveshje për mënyrën se si të zbatojnë një memorandum mirëkuptimi të qershorit të arritur në Islamabad. Mosmarrëveshjet rreth sanksioneve, një bllokadë detare e SHBA-së dhe marrëveshjet e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit kanë komplikuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.

