UNRWA: Një punonjës i agjencisë u vra dhe tre të tjerë u plagosën nga një sulm izraelit në Gaza
Një punonjës i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në një sulm izraelit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Agjencia e OKB-së në rrjetin social amerikan X njoftoi se komisioneri i Përgjithshëm në detyrë i UNRWA-së, Christian Saunders, është “thellësisht i pikëlluar nga vrasja e një punonjësi të UNRWA-së dhe plagosja e tre të tjerëve pas një sulmi izraelit pranë vendit ku ata po punonin në Jabalia të Gazës”.
“Ata po kryenin detyrat e tyre të zakonshme në një pus uji, duke ofruar shërbime jetike për komunitetin”, thuhet në njoftim.
Agjencia bëri të ditur se numri i punonjësve të UNRWA-së dhe personave të tjerë që mbështesin punën e saj, të vrarë që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, ka arritur në 397.
UNRWA gjithashtu bëri thirrje që punonjësit humanitarë të mbrohen “në çdo kohë”.
Që nga tetori i vitit 2023, lufta e Izraelit në Gaza ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 74 mijë palestinezëve dhe plagosjen e mbi 176 mijë të tjerëve, shumica gra dhe fëmijë, ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është shkatërruar.
Ushtria izraelite ka vazhduar sulmet në enklavën palestineze, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit që është në fuqi që nga 10 tetori 2025.

