Erdogan zotohet për rritje ekonomike, pavarësi të industrisë së mbrojtjes dhe përparim drejt “Turqisë pa terrorizëm”
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se vendi i tij mbetet i përkushtuar ndaj rritjes ekonomike, pavarësisë së industrisë së mbrojtjes dhe procesit për “Turqinë pa terrorizëm”, si dhe ka theksuar rëndësinë e konsensusit politik dhe shoqëror, raporton Anadolu.
“Qeveria jonë është e vendosur ta zhvillojë Turqinë, industrinë e saj, ushqimin tonë, bukën tonë, paqen dhe mirëqenien tonë”, tha Erdogan pas mbledhjes së Kabinetit në Kompleksin Presidencial në Ankara.
“Ne po zbatojmë me vendosmëri strategjinë tonë të rritjes së qëndrueshme, e bazuar në investime, prodhim, punësim dhe eksporte”, theksoi ai.
Presidenti turk tha se synimi i Turqisë është arritja e pavarësisë së plotë në industrinë e mbrojtjes, duke u zotuar se puna do të vazhdojë “pa u ndalur, pa pushuar dhe mbi të gjitha pa u kushtuar vëmendje atyre që nuk kanë vizion”.
Duke iu referuar projekteve të industrisë së mbrojtjes KIZILELMA dhe EJDERHA, Erdogan tha: “Këto janë vetëm fillimi. Me ndihmën e Zotit, do të zhvillojmë sisteme edhe më të avancuara dhe shumë më të fuqishme”.
“Turqia pa terrorizëm”
Sa i përket procesit për “Turqinë pa terrorizëm”, Erdogan tha se përmirësimi i sigurisë po ndihmon në eliminimin e pengesave për investime, prodhim, punësim dhe turizëm.
Ai bëri të ditur se janë pastruar edhe 14 shpella të tjera në Hakurk, pranë kufirit turk, të cilat për një kohë të gjatë ishin përdorur si strehimore nga terroristët. Sipas tij, ky zhvillim e çon procesin drejt pastrimit pothuajse të plotë të shpellave në rajonet Hakurk, Zap dhe Metina në veri të Irakut.
“Me konsolidimin e klimës së sigurisë në rajon, pengesat për investime, prodhim, punësim dhe turizëm po hiqen njëra pas tjetrës”, tha ai.
Erdogan theksoi se Turqia dhe qytetarët e saj “nuk mund të tolerojnë më humbjet. Lindja dhe juglindja (rajonet kufitare) nuk mund të tolerojnë më humbjet”, duke shtuar se “asnjë nga qytetarët e mi nuk mund të tolerojë më humbjet”.
“Pavarësisht prejardhjes së tyre, ky komb nuk dëshiron më të humbasë. Aleanca Popullore dhe qeveria po punojnë për ta realizuar këtë”, shtoi ai.
Ai tha se qeveria është plotësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi, duke theksuar përgjegjësinë dhe vendosmërinë për të siguruar suksesin e tij.
“Jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që na është besuar. Kemi vënë në dispozicion zemrën, shpirtin dhe madje gjithë qenien tonë për suksesin e këtij procesi”, tha Erdogan.
Fryma e “467 votave”
Ai shtoi se zgjidhja e problemeve do të bëhet më e lehtë nëse armët dhe dhuna largohen nga procesi, ndërsa qeveria po i kushton rëndësi të veçantë ruajtjes së frymës së “467 votave”, të cilën e cilësoi si një pikë kthese në politikën turke.
Numri 467 i referohet konsensusit të gjerë parlamentar, të reflektuar përmes 467 votave në favor të legjislacionit që lidhet me procesin për “Turqinë pa terrorizëm”.
“Synojmë ta çojmë përpara procesin për Turqinë pa terrorizëm me konsensusin më të gjerë të mundshëm politik dhe shoqëror. Megjithatë, nuk do të lejojmë që një çështje e tillë të shndërrohet në mjet shantazhi politik”, tha ai.
Erdogan u zotua se procesi do të vazhdojë pa tërheqje, duke deklaruar: “Do të vazhdojmë përpara pa bërë asnjë hap prapa dhe, me ndihmën e Zotit, do ta largojmë plotësisht këtë çështje nga agjenda e kombit tonë”.

