(VIDEO) Rritet për 37,5 % numri i të prekurve nga gripi sezonal
Është rritur sërisht numri i personave të prekur me grip, tregon raporti më i ri i Institutit të Shëndetit Publik. Sipas të dhënave, javën e kaluar janë regjistruar 154 raste të reja të gripit, që paraqet një rritje prej 37.5%, krahasuar me një javë më parë, kur ishin evidentuar 112 të sëmurë nga gripi. Më shumë raste janë regjistruar në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë.
Instituti Shëndetit Publik
“Shumica e rasteve të reja janë raportuar në: Tetovë – 49, Shkup – 38, Kumanovë – 19, Radovish – 12, Veles – 8, Gostivar – 7, Prilep – 5 dhe Strumicë – 3. Nga dy raste janë regjistruar në Resnjë, Negotinë, Ohër dhe Shtip, ndërsa nga një në Gjevgjeli dhe Makedonski Brod”.
Struktura e moshës së personave të prekur me grip tregon se më e “sulmuar” është grupmosha e fuqisë punëtore.
Instituti Shëndetit Publik
“Nga numri i përgjithshëm i personave të prekur javën e kaluar, 102 janë persona të moshës nga 15 deri në 64 vjeç, 22 janë më të moshës mbi 65 vjeç, ndërsa 16 janë fëmijë të moshës nga 5 deri në 14 vjeç”.
Gjithsej që nga fillimi i sezonit të gripit në vend janë regjistruar 609 raste me grip, të paraqitura në 19 Qendrat e Shëndetit Publik mbarë vendit dhe në njësitë e tyre rajonale. Instituti bënë me dije se bëhet fjalë pë një rritje prej 6.7% krahasuar me të njejtën periudhë të sezonës së kaluar kur kishte 571 raste si dhe rritje prej 30.8 për personat 16 vjeç, që sezonën e kaluar ky numër ishte 466.
Tetova mbetet vatra e numrit më të madh të të prekurve me grip edhe në numrin e përgjithshëm me gjithësej 198 persona të prekur dhe incidenca më e lartë në shtet. Pjesa më e madhe në numrin e përgjithshëm të rasteve që nga fillimi i sezonit ka qenë tek qytetarët e moshës 15 deri në 64 vjeç – 438 raste ose 71.9 përqind.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

