OKB-ja kërkon 12 miliardë dollarë për të ndihmuar 91 milionë njerëz në vitin 2027
Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i OKB-së njoftoi sot se synon të ndihmojë 91 milionë njerëz në vitin 2027, për çka nevojiten më shumë se 12 miliardë dollarë, mes paralajmërimeve për një tjetër krizë të madhe globale ushqimore, transmeton Anadolu.
Në raportin e tij “Perspektiva Globale për vitin 2027”, WFP-ja tha se ndihma e planifikuar do të mbulojë vetëm një pjesë të njerëzve që përballen me uri akute në mbarë botën. Sipas agjencisë, rreth 266 milionë njerëz u përballën me pasiguri akute ushqimore në vitin 2025.
Prej tyre, rreth 39 milionë përjetuan nivele emergjente të urisë ose edhe më të rënda, sipas Raportit Global për Krizat Ushqimore. “Për njerëzit më të cenueshëm në botë, uria akute po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u kapërcyer”, tha në një deklaratë drejtori ekzekutiv i WFP-së, Luke J. Lindberg.
“Ne mund t’i mbrojmë më të cenueshmit, por kjo do të kërkojë angazhim të vazhdueshëm politik, investime dhe veprime të përbashkëta”, shtoi ai. WFP-ja paralajmëroi se bota mund të përballet me krizën e tretë të madhe ushqimore në gjashtë vjet, duke theksuar nevojën për ndihmë të vazhdueshme humanitare dhe masa parandaluese.
Agjencia tha se planifikon të zgjerojë ndërhyrjet e hershme, përfshirë skemat e sigurimit dhe marrëveshjet e financimit, të cilat synojnë të ndihmojnë komunitetet të përgatiten për fatkeqësitë e lidhura me klimën. Ajo synon gjithashtu të forcojë bashkëpunimin me partnerët lokalë dhe të zgjerojë ndihmën përmes mekanizmave të tregut, me qëllim shfrytëzimin më efikas të burimeve të kufizuara.
Sipas agjencisë, gati 72 për qind e fondeve të nevojshme për vitin 2027 do të ndahen për reagimin ndaj krizave. Pjesa e mbetur prej 28 për qind do të mbështesë programet që synojnë forcimin e qëndrueshmërisë së komuniteteve përballë krizave të ardhshme.
WFP-ja tha se angazhimi i vazhdueshëm politik, investimet dhe veprimet e përbashkëta do të jenë thelbësore për mbrojtjen e popullsive të cenueshme dhe trajtimin e përkeqësimit të pasigurisë ushqimore.

