Maqedonia e Veriut dhe Universiteti Trakya i Turqisë nënshkruajnë protokoll për trajnimin e punonjësve shëndetësorë
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Sasho Klekovski dhe rektori i Universitetit Trakya nga Edirneja e Turqisë, Mustafa Hatipler, nënshkruan protokoll pesëvjeçar bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, i cili parasheh trajnimin dhe avancimin profesional të punonjësve shëndetësorë të vendit në Turqi, transmeton Anadolu.
Protokolli u nënshkrua në kuadër të projektit “Urat e Vëllazërisë”, të cilin Universiteti Trakya e realizon me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë. Maqedonia e Veriut është vendi i tretë i përfshirë në projekt, pas Kosovës dhe Bullgarisë.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimi parasheh qëndrime profesionale dhe trajnime praktike të punonjësve shëndetësorë në Fakultetin e Mjekësisë dhe Spitalin Universitar në Edirne, shkëmbim të përvojave klinike dhe njohurive, si dhe hulumtime të përbashkëta shkencore. Ai përfshin edhe fushat e stomatologjisë, farmacisë dhe shkencave shëndetësore.
Protokolli vjen pas Memorandumit të Mirëkuptimit në fushën e shëndetësisë, të nënshkruar në tetor në Stamboll nga ministrat e Shëndetësisë të të dyja vendeve, ku shkëmbimi profesional dhe edukimi specialistik u përcaktuan si fusha prioritare.
“Me këtë protokoll, punonjësit tanë shëndetësorë fitojnë një vend ku do të mund të përsosin më tej njohuritë dhe aftësitë e tyre profesionale ndërsa njohuritë që do të sjellin do të mbeten këtu”, deklaroi ministri Klekovski.

