Një palestinez vritet ndërsa Izraeli vazhdon të shkelë armëpushimin në Gaza
Një palestinez i moshuar u vra sot në një sulm izraelit që shënjestroi zonën New Camp, brenda kampit të refugjatëve Nuseirat, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.
Sulmi ndodhi në mes të shkeljeve të vazhdueshme të Izraelit ndaj marrëveshjes së armëpushimit, e cila është në fuqi që nga 10 tetori 2025. Një burim mjekësor në spitalin “Al-Awda” i tha Anadolu-s se trupi i Diab Issa Radi, 60 vjeç, u soll në spital pas sulmit izraelit.
Burime lokale thanë se një dron izraelit goditi Radiun teksa ai po ecte në një rrugë të zonës, duke e vrarë në vend. Në jug të Gazës, automjetet ushtarake izraelite hapën zjarr të dendur drejt shtëpive palestineze dhe tendave të të zhvendosurve përgjatë rrugës “Al-Tina”, në jug të Khan Younisit.
Të enjten, katër palestinezë u vranë, përfshirë një person që ndërroi jetë nga plagët e marra në një sulm të mëparshëm ndërsa disa të tjerë u plagosën, përfshirë dy gra dhe një fëmijë, në sulmet izraelite në të gjithë Gazën.
Shkeljet izraelite të armëpushimit në fuqi kanë vrarë 1.662 palestinezë dhe kanë plagosur 6.007 të tjerë deri të enjten, sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka zhvilluar luftë gjenocidale në Gaza, ku janë vrarë mbi 74 mijë palestinezë dhe janë plagosur mbi 175 mijë të tjerë, shumica gra dhe fëmijë ndërsa 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është shkatërruar.

