Fëmijët e Gazës i bëjnë thirrje botës në prag të Ditës Botërore të Fëmijëve: “Mos na harroni”
Qindra fëmijë palestinezë të zhvendosur u mblodhën përpara Ditës Botërore të Fëmijëve në Shkollën Turke në qytetin e Gazës (Gaza City) të enjten, duke i bërë thirrje botës që të garantojë të drejtat e tyre për arsim, shëndet dhe siguri.
Tubimi solidarizues u zhvillua në shkollë, ku familjet e zhvendosura janë strehuar në çadrat aty pranë dhe synonte të tërheqë vëmendjen ndaj pasojave të thella humanitare, psikologjike dhe arsimore të luftës së Izraelit ndaj fëmijëve që rriten në enklavë.
Oborri i shkollës u zbukurua me flamuj palestinezë dhe turq dhe pankarta të Fondacionit Turk Humanitar Relief (IHH) ndërsa fëmijët mbajtën veshje tradicionale palestineze të qëndisura ‘keffiyeh’ dhe uniforma shkollore.
Pjesëmarrësit shfaqën pankarta dhe vizatime në gjuhë të ndryshme, duke shprehur thirrjet e tyre për mbrojtje dhe të drejtën e tyre për arsimim, kujdes shëndetësor, siguri dhe një jetë dinjitoze.
Veprimtaria përfshiu fjalime, këngë dhe performanca në të cilat fëmijët i bënë thirrje botës që të qëndrojë me ta dhe të mos harrojë vuajtjet e tyre.
– “Mos na harroni”
Nxënësja palestineze Maria Daher tha për Anadolu se qindra fëmijë ndjekin shkollën turke dhe jetojnë në tenda aty pranë. “Ne po i dërgojmë mesazh botës për të parë se cilët janë fëmijët e Gazës. Ata janë fëmijë të privuar, fëmijë të urisë, fëmijë që vuajnë nga i ftohti dhe nga gjithçka”, tha ajo.
“Fëmijët e Gazës duan të drejtën e tyre për arsim, shëndet, siguri dhe një jetë dinjitoze”, shtoi Maria.
Nxënësja palestineze më tej vuri në dukje se “Fëmijët palestinezë kanë të drejtë të jetojnë në siguri dhe liri, dhe fëmijët e Gazës kanë të drejtë të mësojnë, të luajnë dhe të jetojnë të sigurtë”.
“Në Ditën Botërore të Fëmijëve, mos na harroni”, shtoi ajo.
– Fëmijët në kërkim të sigurisë
Mësuesja palestineze Nahla Shehab tha për Anadolu se qindra fëmijë të zhvendosur që jetojnë në tenda pranë shkollës morën pjesë në ngjarje. “Fëmijët kanë duruar kushte të vështira gjatë tre viteve të fundit, përfshirë bombardimet, urinë, frikën dhe privimin e të drejtave të tyre më elementare të fëmijërisë”, tha ajo.
“Sot, këta fëmijë po e shohin botën me shpresë, duke parë nga dielli i lirisë dhe një e nesërme e ndritshme, duke shpresuar se një ditë bota do të shikojë të drejtat e tyre”, tha ajo.
Shehab theksoi të drejtën e fëmijëve për arsimim, shëndet, siguri dhe jetë në një mjedis të sigurt, duke shprehur shpresën se ata do të bëhen liderët dhe kontribuuesit e ardhshëm në shoqërinë e tyre pavarësisht asaj që duruan gjatë luftës.
Dita Botërore e Fëmijëve shënohet çdo vit më 20 nëntor.
Të enjten, Ministria e Arsimit Palestineze tha se mbi 21 mijë fëmijë janë vrarë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023 si rezultat i luftës gjenocidale të Izraelit ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë janë plagosur.
Që nga tetori i vitit 2023, lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza ka vrarë mbi 74 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 175 mijë të tjerë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është shkatërruar.

