I dërguari amerikan Kushner: Rruga drejt anëtarësimit në BE, shtyllë kyç e përpjekjeve për paqe në Ukrainë
I dërguari i SHBA-së, Jared Kushner, tha se një perspektivë për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian (BE) është një nga tre shtyllat thelbësore të përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, transmeton Anadolu.
Në një postim në platformën sociale amerikane X, Kushner tha se ai dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, gjatë vitit të fundit kanë punuar me Ukrainën dhe partnerët evropianë drejt krijimit të një “vendi sovran, të sigurt dhe të begatë, të lirë për të përcaktuar të ardhmen e tij”.
Tri shtyllat përfshijnë “garanci të forta dhe të besueshme të sigurisë për të mbrojtur Ukrainën nga agresioni i ardhshëm”, një perspektivë për anëtarësimin në BE dhe një “plan gjithëpërfshirës të prosperitetit pas luftës”, të hartuar në bashkëpunim me partnerët evropianë dhe Bankën Botërore, për të mbështetur rindërtimin e Ukrainës dhe rritjen e saj ekonomike afatgjatë, tha ai.
“Së bashku, këto elemente mund t’i japin Ukrainës forcën, sigurinë, lirinë dhe besimin për të negociuar çështjet e vështira që kanë mbetur me Rusinë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për popullin e saj”, tha Kushner, i cili është edhe dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Kushner tha se ai dhe Witkoff të hënën biseduan me ndihmësin e Kremlinit, Yuri Ushakov, e më pas zhvilluan një telefonatë me Ukrainën dhe partnerët evropianë, përfshirë këshilltarët e sigurisë kombëtare të Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Polonisë dhe Italisë, si dhe përfaqësues të BE-së dhe NATO-s.
Gjatë bisedimeve, ata kanë diskutuar mundësinë e lehtësimit të kontakteve të drejtpërdrejta mes Evropës dhe Rusisë, të cilat kanë qenë “kryesisht të munguara gjatë katër viteve të fundit”, që nga fillimi i luftës në vitin 2022, si dhe kanë nisir përgatitjet për agjendën e takimit të ardhshëm shumëpalësh, tha ai.
Kushner tha se NATO-ja “do të mbetet shtyllë thelbësore e sigurisë evropiane” dhe se synimi është të ndërtohet mbi institucionet dhe marrëveshjet ekzistuese të Evropës.
“Çdo marrëveshje përfundimtare e paqes duhet të miratohet nga Rusia dhe Ukraina”, tha ai, duke shtuar se “sfida të rëndësishme mbeten” dhe se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare do të kërkojë vendime të vështira.
Ai tha se palët po bëjnë përparim “në koordinim të ngushtë me Rusinë, Ukrainën dhe Evropën”.

