Udhëtarët në Mbretërinë e Bashkuar paralajmërohen për ndërprerje të mundshme të fluturimeve pas pezullimit në SHBA
Udhëtarët që fluturojnë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së janë paralajmëruar për ndërprerje të mundshme të udhëtimeve, pavarësisht rifillimit të fluturimeve në SHBA, ndërsa kompanitë ajrore po punojnë për të përballuar pasojat e pezullimit, transmeton Anadolu.
Autoriteti i Aviacionit Civil i Mbretërisë së Bashkuar (CAA) paralajmëroi se pasagjerët mund të përballen me ndërprerje të mëtejshme, ndërsa kompanitë ajrore po riorganizojnë udhëtimet e atyre që u prekën nga pezullimi.
Autoriteti këshilloi pasagjerët që kanë planifikuar të udhëtojnë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së që të kontaktojnë kompanitë ajrore për të marrë informacionet më të fundit përpara se të nisen drejt aeroportit.
British Airways deklaroi se mund të ketë vonesa, ndërsa një zëdhënës i Aeroportit të Manchesterit tha se aeroporti nuk pret ndonjë ndërprerje “të konsiderueshme”.
Ndërkohë, Aer Lingus bëri të ditur se avionët e saj që janë në fluturim drejt SHBA-së do të lejohen të ulen, ndërsa fluturimet e planifikuara për t’u nisur nga vendi mbeten të pezulluara.
Dje, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) nxori një urdhër të rrallë për ndalimin e fluturimeve në të gjithë vendin, duke pezulluar për më shumë se katër orë të gjitha fluturimet që niseshin nga aeroportet në SHBA. Ky ishte pezullimi më i gjatë i hapësirës ajrore amerikane që nga sulmet e 11 shtatorit 2001.
Megjithëse FAA-ja e hoqi urdhrin më vonë në mbrëmje dhe fluturimet rifilluan, vonesat e shumta zinxhir dhe anulimet po vazhdojnë si në SHBA, ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar.

