Nju Delhi bëhet qyteti më i ndotur në botë, cilësia e ajrit arrin nivele të rrezikshme
Cilësia e ajrit në kryeqytetin e Indisë, Delhi, ka mbetur sot në kategorinë “shumë e rrezikshme”, ndërsa nivelet e ndotjes në disa stacione matëse kanë tejkaluar vlerën 450, sipas të dhënave zyrtare, transmeton Anadolu.
Sipas të dhënave në kohë reale nga Bordi Qendror për Kontrollin e Ndotjes (CPCB), një stacion matës ka regjistruar të premten në mëngjes Indeks të Cilësisë së Ajrit (AQI) prej 488 nga 500, ndërsa disa stacione të tjera në kryeqytet kanë shënuar vlera mbi 400 gjatë pasdites.
Indeksi i Cilësisë së Ajrit ndahet në disa kategori, ku niveli “shumë i rrezikshëm” përfshin vlerat nga 401 deri në 500. Sipas grupit zviceran IQAir, i cili ka regjistruar një indeks prej 186, Delhi është renditur të premten si qyteti më i ndotur në botë.
Matjet zvicerane dhe ato indiane zakonisht ndryshojnë për shkak të metodologjive të ndryshme që përdorin.
Sot në mëngjes, një shtresë e dendur smogu ka mbuluar qytetin ndërsa ndotja e ajrit është përkeqësuar. Javën e kaluar, Delhi ka regjistruar Diwalin më të ndotur në pesë vitet e fundit, me një indeks mesatar të cilësisë së ajrit prej 376.
Përballë përkeqësimit të cilësisë së ajrit, autoritetet në Delhi po planifikojnë gjithashtu të përdorin mbjelljen artificiale të reve për të luftuar rritjen e ndotjes.
“Këto prova po vazhdojnë dhe janë pjesë e një studimi në zhvillim. Pasi studimi të japë rezultate pozitive dhe të përfundojë, do të informojmë se si dhe kur do të realizohet mbjellja artificiale e reve dhe kur mund të sjellë reshje shiu”, ka thënë ministri i Mjedisit i Delhit, Manjinder Singh Sirsa, duke shtuar se qeveria “po zbaton vazhdimisht të gjitha masat e nevojshme”.
Ndotja e ajrit mbetet problem i vazhdueshëm në Nju Delhi, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, kur bujqit në shtetet fqinje djegin mbetjet e të korrave. Emetimet që shkaktohen nga kjo praktikë, së bashku me ndotjen nga termocentralet me qymyr, industritë dhe trafiku i automjeteve, e përkeqësojnë më tej cilësinë e ajrit në qytet.

