Shpërthimi i dytë i gripit të shpendëve në Japoni, urdhërohet asgjësimi i 40 mijë pulave
Japonia konfirmoi sot shpërthimin e dytë të gripit të shpendëve me patogjenitet të lartë për këtë sezon, në një fermë shpendësh me rreth 40 mijë pula në prefekturën Chiba, njoftuan autoritetet, transmeton Anadolu.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Peshkimit bëri të ditur se analizat gjenetike konfirmuan infeksionin në një fermë në qytetin Asahi, në orën 08:00 sipas kohës lokale. Shpërthimi u zbulua pasi fermeri raportoi simptoma të pazakonta te shpendët, gjë që çoi në një inspektim dhe testime të shpejta, të cilat rezultuan pozitive.
Autoritetet do të asgjësojnë rreth 40 mijë pula vezëtare dhe do t’i eliminojnë mbetjet e tyre përmes djegies ose varrosjes, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Ministria njoftoi se do të vendoset një zonë kufizimi lëvizjeje në një rreze prej 3 kilometrash nga ferma e prekur ndërsa kufizimet për transportin e produkteve do të mbulojnë një zonë që shtrihet deri në 10 kilometra.
Pika kontrolli për dezinfektim do të vendosen përgjatë rrugëve kryesore ndërsa fermat e tjera të shpendëve në afërsi do t’i nënshtrohen inspektimeve. Gjithashtu, do të dërgohet një ekip hetimi epidemiologjik për të përcaktuar burimin e infeksionit dhe rrugët e mundshme të transmetimit.
Ministria deklaroi se do të mbledhë shtabin e saj për kontrollin e gripit të shpendëve, me qëllim koordinimin e masave për frenimin e sëmundjes. Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjitha prefekturave që të forcojnë mbikëqyrjen dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar infeksioni.
Ministria shtoi se në kushtet aktuale në Japoni, konsumimi i mishit të pulës ose i vezëve nuk përbën rrezik për infektim me gripin e shpendëve.

