(VIDEO) Shitja e banesave ulet për 14%, qiradhënia rritet për 45%

(VIDEO) Shitja e banesave ulet për 14%, qiradhënia rritet për 45%

Çmimi i lartë i banesave ka bërë që të ulet interesimi për të blerë banesa,ndërsa ka rritur interesimin e atyreve që marrin banesa me qira. Sipas Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, shitja e banesave ka shënuar rënie prej 14 për qind, ndërsa qiradhënia është rritur për 45 për qind.

MARKETING

Shik.mk

Nga Agjencia vlerësojnë se tregu i patundshmërive vazhdon të ketë aktivitet të konsiderueshëm ekonomik, por me një ritëm më të ngadalshëm të shitblerjeve. Ndërkohë, të dhënat tregojnë se qiraja po bëhet gjithnjë e më shumë alternativa e qytetarëve përballë çmimeve të larta të banesave.

AGJENCIA PËR KADASTËR TË PATUNDSHMËRIVE

“Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 7.679 transaksione, që paraqet një ulje prej 8,2% krahasuar me tremujorin paraprak. Numri i shitblerjeve ka shënuar rënie prej 12,1%, ndërsa numri i qirave është rritur për 2,8%”.

Agjencia sqaron se vlera e përgjithshme financiare e tregut arrin në 339 milionë euro, që është 3,6% më pak krahasuar me tremujorin paraprak. Prej tyre, 337,8 milionë euro janë nga shitblerjet, me rënie prej 3,6%, ndërsa 1,1 milion euro nga qiratë, me rënie prej 10,2%.

Në anën tjetër, te qiratë është regjistruar rritje prej 45% e numrit të banesave të dhëna me qira, si dhe rritje prej 31% e vlerës së përgjithshme mujore të qirasë, krahasuar me tremujorin paraprak.

AGJENCIA PËR KADASTËR TË PATUNDSHMËRIVE

“Vlerësimi ynë është se tregu shfaq lëvizje të ndryshme në të dy segmentet: aktivitet të reduktuar te shitblerjet dhe rritje të moderuar të numrit të kontratave të qirasë, por ulje të vlerës së përgjithshme mujore të qirasë”.

Kujtojmë se çmimet e banesave në vend, veçanërisht në kryeqytet, duke përfshirë Qendrën, Aerodromin dhe Taftalixhen, arrijnë deri në 3 mijë euro për metër katror. Kjo do të thotë se një banesë prej vetëm 60 metrash katrorë mund të kushtojë deri në 180 mijë euro, apo rreth 11 milionë denarë.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING