Sulmet izraelite vrasin 3 palestinezë dhe plagosin 6 të tjerë në Gaza

Sulmet izraelite vrasin 3 palestinezë dhe plagosin 6 të tjerë në Gaza

Tre palestinezë u vranë dhe gjashtë të tjerë, përfshirë dy fëmijë dhe një grua të zhvendosur, u plagosën sot nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, në vazhdën e shkeljeve të përsëritura të marrëveshjes së armëpushimit të vitit të kaluar, njoftuan burimet mjekësore, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Një burim bëri të ditur se një burrë 43-vjeçar dhe djali i tij 13-vjeçar u vranë kur një sulm izraelit goditi çatinë e një ndërtese ku strehoheshin palestinezë të zhvendosur, në lagjen Zeitoun, në juglindje të qytetit të Gazës. Në të njëjtin sulm u plagosën bashkëshortja e burrit dhe një palestinez tjetër, tha burimi.

Burimet lokale thanë se një dron izraelit goditi çatinë e ndërtesës së Ministrisë së Vakëfeve, ku ishin strehuar civilë të zhvendosur, në zonën Asqoula të lagjes Zeitoun. Sulmi ndodhi pak pasi forcat izraelite vranë një burrë 26-vjeçar në Khan Younis, në jug të Gazës.

Një grua e zhvendosur pësoi plagë të shkallës së mesme nga të shtënat izraelite në zonën Bir 19, në jugperëndim të qytetit. Burimi tha se një fëmijë pesëvjeçar u plagos nga të shtënat izraelite brenda shkollës “Mustafa Hafez”, ku strehohen palestinezë të zhvendosur në pjesën qendrore të Khan Younisit.

Një burim tjetër mjekësor tha se një peshkatar pësoi plagë të shkallës së mesme nga armë zjarri, pasi forcat detare izraelite hapën zjarr ndaj varkave të peshkimit që ndodheshin në brigjet e Khan Younisit. Sipas burimeve lokale, anijet luftarake izraelite sulmuan me armë zjarri dhe predha artilerie mjetet lundruese të peshkimit pranë zonës së portit të qytetit, duke u vënë zjarrin dy varkave.

Burimi mjekësor tha se një djalë u plagos nga të shtënat, pasi automjetet ushtarake izraelite hapën zjarr në drejtim të tendave ku strehoheshin personat e zhvendosur, në zonën Batn al-Samin, në jug të Khan Younisit. Sipas dëshmitarëve, zonat në jug dhe në lindje të Khan Younisit u goditën nga bombardime intensive me artileri izraelite, të shoqëruara me të shtëna të shumta nga automjetet ushtarake.

Në pjesën qendrore të Gazës, burime lokale raportuan një depërtim të kufizuar të automjeteve ushtarake izraelite në juglindje të kampit të refugjatëve Maghazi, mes të shtënave të shumta dhe bombardimeve me artileri. Ushtria izraelite hodhi në erë shtëpi të evakuuara dhe objekte civile pranë zonës ku ndodhi depërtimi.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor 2025, sulmet izraelite kanë vrarë 1.615 palestinezë dhe kanë plagosur 5.849 të tjerë.

Që nga tetori i vitit 2023, lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza ka vrarë mbi 74 mijë palestinezëve dhe ka plagosur mbi 175 mijë të tjerë, shumica gra dhe fëmijë ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është shkatërruar.

MARKETING