(VIDEO) LSDM thirrje Prokurorisë të nisë hetimet, VMRO akuzon për një bankë tjetër

(VIDEO) LSDM thirrje Prokurorisë të nisë hetimet, VMRO akuzon për një bankë tjetër

Nga LSDM sot kanë kërkuar hetime urgjente lidhur me çështjen e Alta Bankës në RMV, rolin e Mickoskit dhe rrjedhën e parave. Zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska ka kërkuar përgjegjësi për rastin në fjalë dhe ka theksuar se nëse prokuroria nuk vepron LSDM-ja do të ngrisë kallëzime penale.

MARKETING

Shik.mk

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË

“Të gjitha këto fakte, së bashku me pranimin publik të Sllaveskit për ndikimin politik të Mickoskit, kërkojnë veprim nga Prokuroria. Heshtja e thellon mosbesimin dhe krijon dyshime se po mbrohet Mickoski. Po u lihet Mickoskit dhe Sllaveskit mundësia që ta fshehin çështjen, të shkatërrojnë provat dhe të pengojnë zbulimin e llogarive dhe transaksioneve të Alta Bankës. Kryeprokurori Saveski nuk duhet të presë telefonatë nga Mickoski. Le ti refuzojë telefonatat e tij dhe të fillojë të bëjë punën e vet. Prokuroria ka detyrim ndaj qytetarëve”.

Akuzave të LSDM-së, VMRO-DPMNE-ja sërisht i është përgjigjur me kundërakuza lidhur me çështjen e bankës “EUROSTANDARD”. Deputeti Brane Petrushevski ka deklaruar se të vetmet para të pastruara siç thotë ai, që hynë në RMV erdhën  përmes Venezuelës, në bankën Eurostandard, në kohën e Filipçes dhe Zaevit.

BRANE PETRUSHEVSKI, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË

“110 milionë euro ishte kësti i parë nga disa këste që duhej të mbërrinin në Maqedoni përmes Venezuelës, e cila në atë kohë ishte nën sanksione, gjatë qeverisjes së Maduros. Shuma e përgjithshme që ishte planifikuar të hynte në Eurostandard Bank arrinte në një miliard e 600 milionë euro. Sipas informacioneve të bëra publike, një kompani nga Maqedonia, në kuadër të skemës me Venezuelën, kishte blerë një sasi të madhe plehrash artificiale nga një kompani në Bjellorusi, ku prej vitesh sundon Lukashenko, mik i Putinit. Paratë transferohen në një llogari në Serbi. Më pas, të njëjtat mjete ishin ngrirë në Serbi, me kërkesë të Prokurorisë”.

Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës për çështjen e Alta Bankës vazhdojnë përmes akuzave dhe kundërakuzave. Ndërsa LSDM-ja vazhdimisht kërkojnë hetim për hyrjen e Alta Bankës në tregun vendas dhe përgjegjësi institucionale, ndërkohë që VMRO-DPMNE-ja rikthen në vëmendje transaksionet e dyshuara përmes Bankës Eurostandard, gjatë qeverisjes së kaluar.

Problemet në Alta bankë –Manastir nisën pas falimentimit të bankës amë në serbi dhe më pas burgosjes së pronarit të saj.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING