(VIDEO) Benzinat lirohen për 7 denarë, dizeli për 5.5 denarë
Nuk ka radhë të gjata në pompat e benzinës, të paktën deri në mesnatë, pasi Komisioni Rregullator për Energjetikë, këtë të hënë ka njoftuar një lajm pozitiv për shoferët, ku çmimet e derivateve të naftës nga mesnata do të ulen ndjeshëm. Siç njoftojnë nga KRRE, çmimet me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 do të ulen me 7,00 den/litër, kështu që çmimi me pakicë i EUROSUPER BS-95 është 86,00 den/litër, ndërsa i EUROSUPER BS-98 është 88,00 den/litër.
Ulje të çmimit do të ketë edhe tek dizeli, i cili do të ulet për 5,50 den/litër dhe do të kushtojë 94,50 den/litër. Ndërkohë, çmimi me pakicë i vajit ekstra të lehtë për amvisëri do të ulet me 6,50 den/litër dhe do të shitet 103,50 den/litër, kurse çmimi me pakicë i Mazutit do të ulet me 6,261 den/kg dhe do të shitet për 49,312 den/kg.
Në këtë vendim është aplikuar edhe shuma e ulur e akcizës prej 2,00 den/litër për benzinat EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 dhe shuma e ulur e akcizës prej 4,00 den/litër për EURODIZEL (D-E V). Gjithashtu, në këtë vendim është aplikuar shuma e ulur e TVSH-së për derivatin e naftës EURODIZEL (D-E V) në masën 10%.
Ndërkaq, çmimet e derivateve të naftës kanë shënuar rënie edhe në tregjet botërore, ku nafta e papërpunuar Brent gjatë ditës së sotme ka zbritur në rreth 94 dollarë për fuçi.
Samir Mustafa /SHENJA/

