BE-ja: Izraeli të sigurojë akses të plotë humanitar në Gaza për shkak të përkeqësimit të krizës humanitare
Bashkimi Evropian i kërkoi sot Izraelit të sigurojë akses të plotë humanitar në Gaza, duke paralajmëruar se përmbytjet e mëdha dhe përkeqësimi i kushteve të dimrit po thellojnë krizën humanitare në enklavë, transmeton Anadolu.
“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën në Gaza dhe padyshim nëse jetoni në tendë dhe tenda është plot me ujë, situata përkeqësohet shumë më tepër”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Komisionit Evropian, Eva Hërncirova gjatë një konference të mesditës në Bruksel.
Ajo tha se BE-ja i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur qeverisë izraelite, në çdo nivel dhe mundësi, që të lejojë akses të plotë humanitar në territor. “Jo të gjitha vendkalimet janë të hapura për ndihmë humanitare”, tha ajo duke theksuar se kufizimet po përkeqësojnë një situatë tashmë kritike.
Hërncirova paralajmëroi se përmbytjet dhe moti i ashpër i dimrit mund t’i ekspozojë familjet e zhvendosura ndaj rreziqeve të mëtejshme shëndetësore, përfshirë sëmundjet dhe rritjen e infektimeve nga dëmtuesit. Ajo tha se shumica e popullsisë së Gazës kërkon strehim dhe ndihmë joushqimore, me rreth 60 për qind të atyre në nevojë që përballen me kushte kritike.
Zëdhënësja theksoi ndihmën humanitare të BE-së për palestinezët, duke thënë se blloku ka ndarë afro 700 milionë euro që nga fillimi i krizës në tetor 2023. “Ne bëjmë thirrje për qasje të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar në Gaza për të qenë në gjendje të lehtësojmë vuajtjet e njerëzve atje”, tha Hërncirova.
– Dimri thellon krizën humanitare
Komentet erdhën pasi një sistem moti me presion të ulët i shoqëruar nga ajri i ftohtë dhe reshjet e dendura të shiut preku Rripin e Gazës, duke përkeqësuar kushtet për mijëra palestinezë të zhvendosur.
Shumë familje mbeten në tenda të vjetruara pa ngrohje ose mbrojtje adekuate nga shiu dhe i ftohti, mes shkatërrimit të gjerë të shtëpive dhe infrastrukturës të shkaktuar nga lufta e Izraelit.
Që nga tetori i vitit 2023, lufta e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 74 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 175 mijë të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Lufta ka shkaktuar shkatërrim të gjerë të infrastrukturës civile, duke i lënë familjet e zhvendosura gjithnjë e më të prekshme ndaj kushteve të vështira të motit.

