Aksident me fatalitet në Kroaci, një autobus nga Serbia përmbyset në autostradë, raportohet për të paktën dy të vdekur

Aksident me fatalitet në Kroaci, një autobus nga Serbia përmbyset në autostradë, raportohet për të paktën dy të vdekur

Dy persona humbën jetën dhe disa të tjerë u lënduan kur një autobus me targa serbe u përmbys në autostradën A3 në Kroaci këtë mëngjes, konfirmoi policia e Zagrebit.

MARKETING

Shik.mk

Aksidenti ndodhi rreth orës 7:25 të mëngjesit në kilometrin e 61-të të autostradës A3, menjëherë pas kryqëzimit të Ivaniq Grad, në drejtim të Zagrebit.

Sipas një deklarate nga Departamenti i Policisë së Zagrebit, të cilën e raporton portali 24sata, të lënduarit do të trajtohen në spitalet e Zagrebit, dhe hetimi është duke vazhduar, shkruajnë mediat e huaja.

Sipas informacioneve jozyrtare nga mediat kroate, në autobus kishte 33 pasagjerë dhe dy shoferë.

Numri i saktë i të lënduarve nuk dihet ende, por raportohet se midis tyre ka të lënduar më rëndë dhe lehtë.

Spitali Klinik i Dubrava konfirmoi se ka pranuar dy pacientë nga ky aksident.

Trajtimi i tyre është duke vazhduar, dhe informacioni mbi shëndetin e tyre nuk është publikuar ende.

“Duket se ka shumë të lënduar dhe disa janë dërguar tashmë në spitale. Gardhi mbrojtës pranë korsisë së ndalimit është i thyer, autobusi është i përmbysur”, ka thënë një nga dëshmitarët okularë për 24h.

Dario Kezeriq nga Shërbimi i Zjarrfikësve të Qarkut të Zagrebit konfirmoi se shtatë automjete zjarrfikëse dhe 15 zjarrfikës nga tre njësi u dërguan në terren.

Një helikopter gjithashtu mbërriti në vendin e aksidentit.

Shkaku i përmbysjes së autobusit nuk dihet ende.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë publikuar identitetin e të vdekurve ose informacion në lidhje me shtetësinë e pasagjerëve.

MARKETING