(VIDEO) Mjekja Fatime Aliji: Vaksinimi është mbrojtja më e mirë, dezinformatat shtyjnë imunizimin
Vaksina kundër fruthit është mbrojtja më e mirë parandaluese kundër sëmundjes së morbilit, për shkak se është sëmundje infektive. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të bëhet imunizimi në kohën e duhur. Kështu ka deklaruar mjekja Fatime Aliji për TV SHENJA, e cila thekson se fëmijët e pavaksinuar, në rast se preken nga kjo sëmundje mund të kenë pasoja fatale.
FATIME ALIJI, PEDIATRE
“Është një sëmundje shumë infektive e cila tek pacientët që janë sidomos për grupmoshat e ndjeshme, nën moshën njëvjeçare, në qoftë se ata fëmijë bien në kontakt me virusin e morbilit, kjo mund të jetë edhe me pasoja fatale, për personat me imunitet të kompromituar me sëmundje tjera kronike, në qoftë se ata pacient, domethënë e marrin virusin e morbilit mundet të ketë pasoja fatale me jetën. Për këtë arsye është e rëndësishme që të bëhet imunizimi i gjithë fëmijëve të shëndoshë që të mund t’i mbrojmë ata që janë me imunitet të kompromituar”.
Aliji thotë se nga mosvaksinimi mund të shfaqen komplikime të ndryshme të cilat mund të përfundojnë edhe me marrjen e jetës.
FATIME ALIJI, PEDIATRE
“Mund të shfaqen komplikime si ndezje të veshit, ndezje të mushkërive, ndezje të sistemit nervor qendror, të cilat në qoftë se e marrin vaksinën, domethënë këto pasoja janë shumë të vogla edhe mund të përballohen më lehtë, ndërsa nëse nuk e marrin vaksinën dhe përjetojnë imunitet përmes sëmundjes, këto lloj komplikime mund të përfundojnë edhe me marrjen e jetës”.
Ajo theksoi se mosvaksinimi i masës së fëmijëve mund të qojë edhe në shpërthimin e epidemisë gjë që siç theksoi ajo mëherët kishte ndodhur në disa komuna të vendit.
FATIME ALIJI, PEDIATRE
“Për këtë arsye ne si mjek apelojmë tek të gjithë prindërit, deri te të gjithë institucionet shëndetësore, shkollore që ti vaksinojnë fëmijët në kohën e duhur, që mos të përballemi me ndonjë epidemi. Për shkak të uljes së numrit të të vaksinuarve me vaksinën MRP, është ulur ndjeshëm në vendin tonë. Kjo mund të çojë edhe deri te ndonjë epidemi, siç ishte rasti më herët veç e kemi pas epideminë nëpër disa komuna, epidemia e morbilit. Mos të vijë puna sërisht që të shfaqet kjo epidemi”.
Mjekja u bëri thirrje prindërve dhe të gjitha institucioneve shkollore dhe shëndetësore që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre për shkak se siç tha ajo është mbrojtja më e mirë parandaluese. Sipas saj edhe ata fëmijë që e kanë humbur vaksinimin në moshën 1 vjeçare duhet të paraqiten në punktin e tyre të vaksinimit dhe të përfshihen në vaksinim. Vetëm ashtu mund të kemi fëmijë dhe shoqëri të shëndetshme, theksoi pediatrja Fatime Aliji.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

