(VIDEO) Kërkohet paraburgim për tre persona, i dyshuari i katërt është jashtë shtetit
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur procedurë hetimore ndaj katër personave, të dyshuar për përfshirje në një grup kriminal që dyshohet se ka kryer veprat penale të zhvatjes dhe pastrimit të parave. Siç sqaruan nga prokuroria, grupi i formuar nga i dyshuari i pare, ka kryer aktivitete të paligjshme që nga viti 2021. Në njërin prej rasteve, një viktimë e grupit, i kishte kërkuar të dyshuarit të parë një hua prej 4.000 eurosh, duke pranuar verbalisht që ta kthente brenda një muaji, me interes prej 2.500 eurosh. Edhe pse ajo ia kishte kthyer të gjithë shumën e dakorduar, ai i kishte kërkuar që ta përdorte llogarinë e saj bankare për të vënë në qarkullim para të përfituara nga zhvatja.
Tabelë: Prokuroria Publike
“Pasi gruaja kishte refuzuar, ai kishte filluar ta kërcënonte, duke kërkuar që automjetin e saj ta vendoste si gjoja peng për borxhe fiktive. Me urdhër të të dyshuarit ishte përgatitur një kontratë fiktive për shitblerjen e automjetit, sikur ai të shërbente si garanci për një hua të pretenduar. Përveç kësaj, ishte përgatitur edhe një kontratë tjetër fiktive për hua në vlerë prej 1.000.000 denarësh. Në kontratat e pengut dhe të huas, të dyshuarit kishin falsifikuar nënshkrimin e gruas së dëmtuar si huamarrëse dhe, pa dijeninë e saj, i kishin noterizuar ato”.
Noteri që kishte lejuar noterizimin e këtyre dokumenteve të rreme dyshohet për punë të pandërgjegjshme në shërbim. Për të, Gjykatës i është dorëzuar propozim për caktimin e masave të kujdesit.
Tabelë: Prokuroria Publike
“Duke u mbështetur në këto kontrata, grupi i të dyshuarve kishte filluar sërish ta kërcënonte gruan, duke i kërkuar që t’ua dorëzonte automjetin dhe t’ua kthente borxhin e pretenduar. Në bazë të kontratave, pronësia e automjetit ishte bartur në emër të njërit prej të dyshuarve, ndërsa më pas gruaja ishte detyruar t’ua paguante edhe borxhin e pretenduar në para.
Një person tjetër i dëmtuar, që në vitin 2021, kishte marrë hua në dy raste nga 180.000 denarë nga i dyshuari që organizonte grupin. Paratë i nevojiteshin për trajtimin mjekësor të bashkëshortes së tij.
Edhe pse, në përputhje me kontratat e huas, ai i kishte kthyer paratë, të dyshuarit kishin vazhduar t’i kërkonin pagesa shtesë në emër të interesit. Për tre prej tyre, gjatë ditës së sotme, gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup i është dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa personi i katërt prej një periudhe të caktuar ndodhet jashtë shtetit./SHENJA/

