(VIDEO) Hasani i BDI-së dhe Sulejmani nga VLEN debatojnë për aktualitetet politike
Rruga Shkup –Bllacë ka përplasur edhe një herë pushtetin dhe opozitën shqiptare. VLEN dhe BDI kurrsesi t’ia vënë pikën, se projekt i cilës Qeveri është, ndërkaq që rruga është ende larg përfundimit. Në emisionin e mbrëmshëm në Debat në Shenja, deputeti i BDI-së Ilir Hasani, këmbëngul se gurthemelin e kësaj rruge e kanë vendosur ata dhe kritikoi pushtetin se e kanë kthyer projekin nga zero për ta ndërruar trasenë, për të përfunduar më pas te e njëjta trase.
Ilir Hasani, BDI
“E keni prish komplet procedurën tenderuese, të cilën e keni kthyer në pikën zero, për ta ndërruar trasenë me një argumentim.. dhe në fund përfunduat në të njëjtën trase Shkup-Bllacë, te e cila ka qenë e projektuar qysh atëherë dhe tani përsëri kalon në të njëjtin vend. Çka ndodhi? Ku mbetën ato eksponentë të BDI-së, apo u bënë eksponentë të VLEN-it, që u morët vesh?”
Ndërkohë, Driton Sulejmani nga VLEN pyeti BDI-së se përse për 20 vjet nuk e kanë ndërtuar rrugën Shkup-Bllacë, derisa përmendi edhe projekte të tjera të cilat sipas tij kjo Qeveri po i bënë realitet.
Driton Sulejmani, VLEN
“Në kohën e juaj, 20 vite është përmendur rrugën Shkup-Bllacë. Pse nuk e ndërtuat? Tash po ndodh rruga Shkup-Bllacë, po zhvillohen punimet në mënyrë intensive, po ndërtohet korridori 8, po ndërtohet kampusi universitar ‘Nënë Tereza”. E kemi sjellë në Kuvend Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuad”.
Ndërkohë në emision u diskutua edhe fitorja e Bërvenicës nga kuadër të AKI-së dhe reagimet partiake që pasuan pas përfundimit të zgjedhjeve. Sulejmani nga VLEN mohon të ketë shkaktuar Bërvenica ndonjë ndryshim në raportin e koalicionit qeverisës duke shtuar se raportet VMRO-VLEN janë ashtu siç kanë qenë më herët.
Emine Ismaili Luzha/SHENJA

