(VIDEO) Mickoski: Nuk kemi ndryshuar qëndrimin për ndryshimet kushtetuese
Kryeministri Hristijan Mickoski ritheksoi se Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj sa i përket ndryshimeve kushtetuese. Ai deklaroi se pret që përmes dialogut me Bullgarinë të gjendet një zgjidhje që do t’i hapte rrugë nisjes së negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Sipas Mickoskit, përveç reformave që vendi duhet t’i realizojë në kuadër të procesit të integrimit evropian, ndryshimet kushtetuese mbeten një pengesë politike në këtë rrugëtim. Ai akuzon LSDM-në dhe BDI-në, ku siç thotë ai gjatë qeverisjes së tyre miratuan politika antishtetërore.
SINKRON: HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Sa u përket ndryshimeve kushtetuese, qëndrimi ynë si Qeveri është i qartë dhe mbetet i pandryshuar. Fatkeqësisht, për shkak të manovrimeve dhe politikave antishtetërore të qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së, ne sot përballemi me një kusht politik, që janë pikërisht ndryshimet kushtetuese. Edhe pse, në atë kohë, ne shumë herë kemi paralajmëruar, kur ishim në opozitë, që të mos ndërmerreshin aventura të tilla.”
Duke folur për raportin e Komisionit Europian Mickoski tha se pret që RMV vitin e ardhshëm të marrë një vlerësim edhe më pozitiv . Ai theksoi se një pjesë e reformave të realizuara pas përfundimit të periudhës raportuese të këtij viti nuk janë përfshirë në vlerësimin e Komisionit Europian.
SINKRON: HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, ka konfirmuar se vendi ka shënuar përparim të konsiderueshëm krahasuar me vitin e kaluar. periudha raportuese ka përfunduar më 31 gusht, ndërsa pas kësaj date janë zbatuar reforma shtesë, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit. Pres që vitin e ardhshëm të kemi një raport edhe më pozitiv, i cili do të dëshmojë përpjekjet e kësaj Qeverie dhe ambicien e saj për të qenë një qeveri reformuese”
Duke folur për raportin me vendin fqinjë, Mickoski tha se dialogu me Bullgarinë vazhdon dhe theksoi se shpreson se do të arrihet një zgjidhje që siç thotë ai do t’i mundësojë RMV-së pas 21 vitesh me statusin e vendit kandidat, më në fund të nisë procesin e negociatave për anëtarësim në BE.
Medina Ajeti Ali/SHENJA

