Këshilli NATO-Ukrainë zhvillon takim të jashtëzakonshëm në Bruksel
Këshilli NATO-Ukrainë mbajti takim të jashtëzakonshëm të enjten në selinë e NATO-s në Bruksel për të diskutuar mbi nevojat urgjente të mbrojtjes së Ukrainës përpara dimrit, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të Misionit të Ukrainës në NATO, takimi u kryesua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte me zyrtarët ukrainas Sergiy Boyev, të cilët morën pjesë personalisht dhe Serhii Sobko, i cili u bashkua nëpërmjet video-konferencës, duke informuar përfaqësuesit aleatë.
“Është thelbësore të mobilizohen të gjithë partnerët në masën më të plotë, të përshpejtohen vendimet e reja dhe të përkthehen angazhimet e shpallura më parë në dërgesa konkrete të pajisjeve ose transferta fondesh”, thuhet në deklaratë.
Misioni tha se takimi ishte veçanërisht i rëndësishëm përpara takimit të ardhshëm të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës më 17 nëntor, nën udhëheqjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë.
“Tani është pikërisht koha për t’u ofruar partnerëve informacionin më të fundit mbi shkallën dhe natyrën e kërcënimeve ruse dhe për të paraqitur nevojat dhe pritjet prioritare të Ukrainës, si për të ‘luftuar sonte’ dhe për të ‘luftuar nesër’, që do të thotë kërkesat e Ukrainës për vitin e ardhshëm”, thuhet në deklaratë.

