Toshkovski: 33 jetë më pak të humbura në aksidente trafiku gjatë dhjetë muajve të parë të vitit

Toshkovski: 33 jetë më pak të humbura në aksidente trafiku gjatë dhjetë muajve të parë të vitit

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka marrë pjesë sot në promovimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë në Trafikun Rrugor 2026–2030, ku ka theksuar se mbrojtja e jetës njerëzore duhet të jetë prioriteti kryesor i institucioneve dhe i gjithë shoqërisë.

MARKETING

Shik.mk

Gjatë fjalimit të tij, Toshkovski vuri në dukje se gjatë 35 viteve të fundit, në rrugët e Maqedonisë mesatarisht kanë humbur jetën rreth 150 persona në vit, shifër kjo që, sipas tij, dëshmon nevojën për një qasje sistematike dhe angazhim të vazhdueshëm institucional për rritjen e sigurisë në trafik.

“Kur flasim për sigurinë në përgjithësi, e veçanërisht për sigurinë në trafik, nuk mund të themi se gjatë 35 viteve të fundit kemi pasur rezultate të kënaqshme. Mesatarisht, rreth 150 jetë njerëzish humbin çdo vit në rrugët e Maqedonisë”, deklaroi Toshkovski.

Ministri prezantoi edhe të dhënat më të fundit për sigurinë në komunikacion, sipas të cilave, gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026, në aksidente trafiku kanë humbur jetën 84 persona, për dallim nga 117 viktima në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo paraqet 33 jetë të shpëtuara më shumë krahasuar me vitin paraprak.

Ai e cilësoi këtë si një përmirësim të ndjeshëm të situatës, duke theksuar se ulja e numrit të viktimave është veçanërisht domethënëse edhe në krahasim me vitet kur qarkullimi në trafik ishte dukshëm më i reduktuar, siç ishin vitet 2001 dhe 2021.

Me këtë rast, Toshkovski shprehu mirënjohje për qytetarët, duke vlerësuar se ndërgjegjësimi më i madh i tyre gjatë pjesëmarrjes në trafik ka luajtur rol të rëndësishëm në uljen e numrit të aksidenteve, të lënduarve dhe viktimave.

Ai theksoi gjithashtu kontributin e institucioneve, fushatave parandaluese, kompanive me përgjegjësi shoqërore dhe organizatave të shoqërisë civile në përmirësimin e sigurisë rrugore.

MARKETING