Mickoski: Kompania “Gereshajmer” planifikon investim të ri në Maqedoni, paralajmërohen edhe tri kapacitete të reja prodhuese
Kompania “Gereshajmer” planifikon të bëjë një investim të ri në Maqedoni dhe të rrisë numrin e të punësuarve nga 300 në 500, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski nga Dyseldorfi, duke shtuar se në dhjetor mund të hapen edhe tre objekte të reja prodhimi, të cilat do të punësojnë më shumë se 1.000 njerëz të paguar mirë.
“Gjatë ditës patëm takime me një numër të madh kompanish, të cilat ose janë të pranishme, ose dëshirojnë të hapin biznes në vendin tonë. Ndër to do ta veçoja takimin me kompaninë ‘Gereshajmer’, e cila tashmë ka realizuar dy investime.
Vlera e përgjithshme e investimeve është rreth 120 milionë euro, ndërsa numri i përgjithshëm i të punësuarve është rreth 300. Por, ajo që është më e rëndësishme është se ata kanë ambicie të realizojnë një investim të ri shtesë në një sipërfaqe prej 100.000 metrash katrorë, ku do ta rrisin numrin e të punësuarve në 500 dhe praktikisht do ta trefishojnë qarkullimin e biznesit të tyre në vendin tonë, duke kontribuar pozitivisht dhe duke i shtuar vlerë PBB-së së Maqedonisë. Gjithashtu, dua të paralajmëroj se, nëse gjithçka shkon siç duhet, në dhjetor do të kemi tri kapacitete të reja prodhuese, të cilat, kur të arrijnë kapacitetin e tyre të plotë në kulmin e investimit, do të punësojnë më shumë se 1.000 persona. Por, ajo që është më e rëndësishme, këto do të jenë vende pune të paguara mirë”, deklaroi Mickoski.
Vlerësoi se sot patën një ditë jashtëzakonisht të suksesshme. Dita filloi me një takim dypalësh me kryeministrin e landit të Rajnës Veriore-Vestfalia, që në fakt është edhe landi më i pasur në Republikën Federale të Gjermanisë.

