BDI kërkon hetim për mjetet publike në Alta Bankë: Kush i mori vendimet dhe sa para janë ekspozuar ndaj rrezikut?
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkon nga institucionet shtetërore transparencë dhe hetim të plotë lidhur me mjetet publike që mund të jenë të depozituara në Alta Bankë. Partia ngre shqetësime për vendimmarrjen, mbikëqyrjen financiare dhe përgjegjësinë institucionale.
Në komunikatën e saj, BDI thekson se rasti i Alta Bankës ngre pikëpyetje që shkojnë përtej problemeve të vetë bankës, duke kërkuar publikimin e të dhënave për institucionet dhe ndërmarrjet publike që kanë pasur mjete në këtë bankë.
BDI kërkon përgjigje për disa çështje kryesore:
– Sa mjete publike janë të depozituara në Alta Bankë?
– Cilat institucione dhe ndërmarrje publike kanë përdorur shërbimet e saj?
– Kush i ka marrë dhe miratuar vendimet për vendosjen e këtyre mjeteve?
– A ka pasur ndikim politik në përzgjedhjen e bankës?
– A janë vlerësuar paraprakisht rreziqet financiare dhe struktura e pronësisë së bankës?
BDI kërkon nga Qeveria dhe Ministria e Financave të publikojnë një pasqyrë të plotë të institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike që kanë pasur mjete në Alta Bankë, duke përfshirë shumat, datat e hapjes së llogarive, bazën ligjore dhe personat përgjegjës për vendimmarrjen.
Gjithashtu, partia kërkon sqarime nga Banka Popullore lidhur me mbikëqyrjen dhe vlerësimin e rrezikut, ndërsa nga Prokuroria Publike pret hetim për çdo ndikim të mundshëm të paligjshëm, keqpërdorim të pozitës zyrtare apo konflikt interesi.
Në fund të komunikatës, BDI thekson se qytetarët kanë të drejtë të dinë se sa para publike janë ekspozuar ndaj rrezikut dhe kush mban përgjegjësi për vendimet e marra.
“Çështja tashmë nuk është vetëm se çfarë do të ndodhë me Alta Bankën. Çështja është nëse shteti e di sa para publike janë ekspozuar ndaj rrezikut, si kanë përfunduar ato aty dhe kush e ka pasur për detyrë t’i mbrojë”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

