Bastisje në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, dyshime për manipulim me notat dhe provimet
Policia e Shtipit ka zhvilluar bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, nën dyshimet për manipulim me provimet dhe procedurat administrative në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip.
Sipas informacioneve jozyrtare nën dyshime është një person që më parë ka qenë i punësuar në universitet si udhëheqës i sektorit të IT-së.
Sipas informacioneve fillestare, ekzistojnë dyshime se i dyshuari ka ndryshuar pikët e provimeve, ka fshirë nota dhe ka mundësuar regjistrimin e semestrave për studentë që nuk i kanë plotësuar kushtet e nevojshme, në këmbim të parave.
Nga MPB-ja njoftojnë se në aksion janë përfshirë zyrtarë policorë nga Departamenti i Policisë Kriminalistike, SPB-ja e Shtipit, SPB-ja e Shkupit dhe Sektori për Krim Kompjuterik.
“Me urdhër gjykate, të siguruar nga Prokuroria Themelore Publike në Shtip, po kryhen bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, në lidhje me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar’ dhe ‘dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistemin kompjuterik’, të dyshuara se janë kryer nga R.T., udhëheqës i Sektorit të Informatikës në Universitetin ‘Goce Dellçev’ në Shtip”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nga Ministria shtojnë se opinioni do të informohet pas përfundimit të plotë të aksionit.

