KF Arsimi kërkon llogari për fushën e papërfunduar në Çegran: Tre vite pritje, asnjë zgjidhje!
KF Arsimi ka reaguar për zvarritjen e projektit të rikonstruksionit të fushës së futbollit në Çegran, i cili duhej të përfundonte në dhjetor të vitit 2023, por edhe pas afro tre vitesh nuk është funksional.
Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra për Komunikime Qytetare, kontrata e lidhur në mars të vitit 2023 nga Agjencia për Rini dhe Sport kishte vlerën prej rreth 112 mijë eurosh, nga të cilat rreth 70 mijë euro i janë paguar kompanisë zbatuese. Ndërkohë, Ministria e Sportit ka konfirmuar se kontrata është ndërprerë më 10 nëntor 2025, për shkak të mosrespektimit të detyrimeve kontraktuale.
Në reagimin e tij, klubi i Arsimit sqaron se nuk ka qenë palë në procedurën e prokurimit dhe as në marrëveshjen me kompaninë zbatuese, duke theksuar se nuk ka pasur kompetenca mbi pagesat apo mbikëqyrjen e punimeve. Për këtë arsye, kërkon që përgjegjësia të adresohet te institucionet dhe kompania përgjegjëse për realizimin e projektit.
Klubi kërkon transparencë të plotë për punimet e kryera, pagesat dhe kontrollin institucional, ndërsa bën të ditur se është në fazën përfundimtare të bisedimeve me Federatën e Futbollit të Maqedonisë, e cila pritet të marrë përsipër një pjesë të punimeve. Edhe Komuna e Gostivarit ka shprehur gatishmëri për të kontribuar në realizimin e projektit.
KF Arsimi paralajmëron se do ta ndjekë çështjen edhe në rrugë ligjore, duke theksuar se mosrealizimi i projektit po dëmton jo vetëm klubin, por edhe sportistët, të rinjtë dhe gjithë komunitetin e Çegranit.

