Juventus, zbehet besimi te Spalletti, rishfaqet hija e Antonio Contes
Luciano Spalletti ende e gëzon besimin e Juventusit, por pas humbjes në Marassi ndaj Genoas, e treta në 9 ndeshje kampionat ka shqetësuar jo pak drejtuesit e Zonjës së Vjetër.
Por ajo që shihet si problemi më i madh për ta është pikërish loja e skuadrës dhe kjo do të jetë tema kryesore e diskutimeve të tyre.
Spalletti rrezikon
Sfida e radhës për Juventusin dhe Luciano Spallettin është pikërisht ajo me Napolin që do të luhet në mbrëmjen e së dielës. Por nëse në këtë sfidë do të shihet pak a shumë ajo paraqitje si në Marassi, atëhere fati i Spallettit do të jetë i shënjuar sepse siç ndodh shpesh në këto raste është më e lehtë të kapesh me trajnerin, që gjithsesi ka përgjegjësitë e tij si lojtarës dhe drejtuesit e klubit, teksa pritet merkatoja e janarit për të plotësuar mundësisht ndonjë boshllëk në një skuadër që po shfaq probleme edhe në mentalitet dhe karakter.
Kush mund të zëvendësojë Spallettin?
Por kush mund të vijë në vend të teknikut toskan? Tifozët prej kohësh po kërkojnë me forcë rikthimin e Antonio Contes, një drejtim që drejtuesit e Zonjës së Vjetër nuk duan ta marrin, por që do të bëhet i detyrueshëm nëse situata përkeqësohet akoma më keq. Ish trajneri i Napolit i ‘shkeli syrin’ edhe Manchester United, por nëse ai merr një telefonatë nga Elkann, nuk do të mund të refuzojë. Në këtë pikë alternativa të tjera janë edhe Stefano Pioli, por shfaqen edhe emrat e Didier Deschamps dhe Paulo Sousa; të gjithë këta me profile të ndryshëm nga ai i Contes që është ëndrra e vërtetë e tifozerisë bardhezi dhe hija që po ndjen realisht edhe vetë Spalletti.

