Sondazhet e para: Blloku i Netanyahut është prapa atij të Eisenkotit, por asnjëra palë nuk siguron shumicë të qartë
Blloku i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ishte prapa bllokut të rivalit të tij, Gadi Eisenkot, në tre nga katër sondazhet pas mbylljes së votimit për zgjedhjet parlamentare të vendit, ndërkohë asnjëri prej tyre nuk siguroi shumicën e parashikuar, transmeton Anadolu.
Sondazhet e transmetuesve Channel 12 dhe Channel 13, si dhe të transmetuesit publik izraelit, nxorën përpara bllokun e Eisenkotit, ndërsa Channel 14 parashikoi epërsinë e bllokut të Netanyahut.
Një sondazh pas mbylljes së votimit i Channel 13 parashikoi 53 mandate për bllokun e Eisenkotit, 50 për bllokun e Netanyahut dhe 17 për partitë arabe në Knessetin me 120 vende.
Transmetuesi publik izraelit parashikoi të njëjtën shpërndarje, duke i dhënë bllokut të Eisenkotit 53 mandate, bllokut të Netanyahut 50 dhe partive arabe 17.
Channel 12 parashikoi 52 mandate për bllokun e Eisenkotit, 50 për bllokun e Netanyahut dhe 18 për partitë arabe.
Ndërkohë, Channel 14 parashikoi 60 mandate për bllokun e Netanyahut, 43 për bllokun e Eisenkotit dhe 17 për partitë arabe.
Asnjëri prej projeksioneve nuk i dha ndonjërit prej blloqeve 61 mandatet e nevojshme për të siguruar shumicën parlamentare.
Duke reaguar ndaj projeksioneve, rivali i Netanyahut, përkatësisht kryetari i partisë Yashar, Gadi Eisenkot, tha se rezultatet fillestare tregonin një “mungesë të plotë besimi te Netanyahu”.
“Nëse këto janë rezultatet përfundimtare, kjo është një fitore për shumicën sioniste dhe shtetformuese në Izrael”, tha Eisenkot.
Ai u zotua të “veprojë menjëherë për të zbatuar vullnetin e popullit”, për të zëvendësuar qeverinë e Netanyahut dhe për të formuar sa më shpejt që të jetë e mundur atë që e quajti një “qeveri të mobilizimit sionist”.
Edhe lideri i opozitës, Yair Lapid, pretendoi se blloku i Netanyahut kishte pësuar një “disfatë të rëndë”, duke u shprehur se: “Mos lejoni t’ju ngatërrojnë. Blloku i Netanyahut pësoi një disfatë të rëndë. Ky është një kolaps i plotë dhe publiku u tha të shkonin në shtëpi”.
Kreu i partisë Demokratët, Yair Golan, tha se “publiku ka folur, ai e shkarkoi qeverinë e Netanyahut”.
“Ne kemi marrë një mundësi historike për të formuar një qeveri që do të sjellë ndryshim të vërtetë në Izrael dhe nuk kemi ndërmend të heqim dorë prej saj”, shtoi ai.
Ndërkohë, duke komentuar sondazhet pas mbylljes së votimit, lideri i Listës së Përbashkët Arabe, Yousef Jabareen, deklaroi se partia “mund të fitojë 10 ose më shumë mandate” në parlamentin izraelit.
Sipas mediave izraelite, presidenti izraelit, Isaac Herzog, siç njoftoi zyra e tij, do të vendosë se kujt do t’ia besojë formimin e qeverisë, pasi të shpallen rezultatet zyrtare të zgjedhjeve.
Qendrat e votimit u mbyllën në orën 22:00 me kohën lokale, ndërkohë nisi numërimi i votave.
Projeksionet e sondazheve pas mbylljes së votimit nuk përbëjnë rezultate zyrtare të zgjedhjeve.
Më herët, Komiteti Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja e votuesve kishte arritur në 74,3 për qind deri në orën 20:00 me kohën lokale.
Sipas komitetit, 5.449.277 persona kishin votuar nga gjithsej 7.331.981 votues me të drejtë vote.

