Vuçiqi pranon humbjen në zgjedhjet në Serbi: “Do t’u tregojmë se çfarë do të thotë të jesh opozitë”
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e pranoi humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të sotme në Serbi. Duke folur nga selia e listës zgjedhore “Serbia e Bashkuar”, Vuçiqi deklaroi se, sipas të dhënave që disponon, Lista Studentore ka fituar shumicën e vendeve në parlamentin serb.
“Nga ajo që po shohim, është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje. Lista Studentore do të ketë nga 140 deri në 150 mandate, ndërsa ne 105. Në parlament kanë hyrë edhe hungarezët e Vojvodinës me tri mandate, si dhe shqiptarët dhe SDA-ja”, deklaroi Vuçiqi.
Sipas të dhënave që bëri të ditura, lista e tij zgjedhore ka fituar rreth 1,72 milion vota, ndërsa Lista Studentore ka marrë afërsisht 2,2 milionë vota.
Pavarësisht humbjes në zgjedhje, Vuçiqi deklaroi se blloku i tij politik do të vazhdojë të veprojë si opozitë.
“Thoshin se dikush do të ikte dhe do t’i bënte gati valixhet. Gënjyen për gjithçka që thanë, nga topi zanor deri te ‘Safari i Sarajevës’. Ne do të kemi nga 100 deri në 105 deputetë. Do të luftojmë dhe do t’u tregojmë se çfarë do të thotë të jesh opozitë”, deklaroi ai.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi u mbajtën në një atmosferë tensionesh të mëdha politike dhe me dalje të lartë të votuesve.
Sipas vlerësimeve të Listës Studentore, në votime kanë marrë pjesë 69,1 për qind e votuesve, pa përfshirë votat nga diaspora.
Të drejtë vote kishin 6.451.292 qytetarë, të cilët mund të votonin në 8.392 vendvotime, përfshirë 93 vendvotime jashtë vendit.
Dita e zgjedhjeve u shoqërua me disa incidente dhe përleshje fizike në pjesë të ndryshme të vendit. Në Beograd, policia bllokoi qendrën e qytetit, ndërsa pranë Parkut Pionirski u vërejt grumbullimi i qindra personave të maskuar.
Zgjedhjet u shpallën pas protestave disamujore kundër qeverisë, të nxitura nga tragjedia në Novi Sad më 1 nëntor 2024, kur 16 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor.
Protestat studentore dhe qytetare u shndërruan në një lëvizje të gjerë që kërkonte përgjegjësi për tragjedinë, luftë kundër korrupsionit dhe ndryshime në qeverisjen e shtetit.
Me rezultatet e bëra të ditura nga Vuçiqi, hapet mundësia që Lista Studentore të formojë një shumicë të re parlamentare, ndërsa blloku i tij politik të kalojë në opozitë.
Deklarata e Vuçiqit se e ka humbur zgjedhjet tashmë është raportuar edhe nga mediumi serb “Blic”, i cili njofton për fjalimin e tij nga shtabi zgjedhor i listës “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar”. Sipas “Blic”-it, Vuçiqi theksoi se ky vlerësim bazohet në një mostër të shtresëzuar zgjedhore dhe jo në rezultatet përfundimtare.

