Kremlini thotë se kanë filluar përgatitjet për samitin trepalësh Putin-Xi-Trump

Kremlini thotë se kanë filluar përgatitjet për samitin trepalësh Putin-Xi-Trump

Përgatitjet për një samit trepalësh mes presidentit rus Vladimir Putin, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit amerikan Donald Trump kanë filluar, deklaroi të dielën një zyrtar i Kremlinit, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Në një intervistë për transmetuesin rus VGTRK, të publikuar të dielën, këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yury Ushakov, tha se administratat e të tre presidentëve janë të gatshme për zhvillimin e takimit.

“Mund të them me siguri tani se Moska, Pekini dhe Washingtoni janë, në parim, të gatshëm për ta mbajtur atë dhe përgatitjet tashmë kanë filluar”, tha ai.

Ushakov tha se Rusia dhe SHBA-ja ende nuk kanë rënë dakord për një takim dypalësh mes Putinit dhe Trumpit në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), i planifikuar për 18 dhe 19 nëntor në Shenzhen të Kinës.

Megjithatë, ai tha se një takim i tillë është i mundur, pasi po planifikohet një takim trepalësh ku do të marrë pjesë edhe Xi.

“Ende nuk kemi rënë dakord për këtë takim, sepse deri më tani kemi diskutuar për këtë takim trepalësh”, tha ai.

“Nëse dy presidentë ndodhen në të njëjtin vend, të paktën do të përshëndesin njëri-tjetrin, do të bisedojnë ulur në një tryezë dhe gjatë aktiviteteve zyrtare. Samite të tilla të mëdha ndërkombëtare krijojnë mundësi të shumta për komunikim”, shtoi ai.

Ushakov tha se Rusia aktualisht është e përqendruar te samiti i nëntorit në Shenzhen dhe se më vonë do të shqyrtojë pjesëmarrjen në samitin e G20-tës në Miami.

I pyetur nëse suksesi i samitit të nëntorit në Shenzhen do të ndikonte në pjesëmarrjen e Rusisë në samitin e G20-tës në Miami në dhjetor, Ushakov tha: “Natyrisht. Por po them se fillimisht vjen nëntori dhe më pas dhjetori”.

Ushakov tha gjithashtu se administrata Trump e kupton se Rusia nuk mund të shpërfillet dhe se angazhimi me Moskën është një qasje më e mirë.

“Në SHBA, siç e dini, klima e përgjithshme politike është jashtëzakonisht e pafavorshme për Rusinë. Por ekziston administrata Trump, e cila po përpiqet të marrë parasysh interesat e saj kombëtare, të cilat nënkuptojnë se Rusia nuk mund të shpërfillet dhe se është më mirë të bashkëpunohet me të”, tha ai.

– Rusia e gatshme të rifillojë bisedimet trepalëshe për Ukrainën

Duke folur për Ukrainën, Ushakov tha se Rusia është e gatshme të rifillojë negociatat në formatin Rusi-SHBA-Ukrainë pas 4 nëntorit, Ditës së Unitetit Kombëtar të Rusisë.

“Tani afati i radhës është 4 nëntori, festa jonë e madhe. Pas kësaj, do të jemi të gatshëm të rifillojmë negociatat”, tha ai.

Ushakov paralajmëroi kundër pritshmërive të larta për takimin e planifikuar trepalësh në nivel ekspertësh, duke e përshkruar atë si një takim paraprak.

“Në takimin e parë nuk mund të zgjidhen shumë çështje. Me gjasë, ai do të ketë karakter eksplorues”, tha ai, duke shtuar se palët ende duhet të punojnë për një marrëveshje paqeje.

Ai tha gjithashtu se Kremlini kishte besuar pas samitit në Anchorage se Washingtoni mund ta detyronte Kievin të pajtohej me kërkesat, por ndikimi i kësaj qasjeje kishte rezultuar minimal.

Sa i përket rolit të Evropës, Ushakov tha se dialogu me Bashkimin Evropian mbetet i nevojshëm, pasi vendet evropiane janë të prirura ta zgjasin konfliktin.

“Nuk mjafton të bisedojmë vetëm me Kievin, duhet të bisedojmë me gjithë Evropën, e cila e mbështet plotësisht Kievin”, tha ai.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, komentoi raportimet se presidenti finlandez Alexander Stubb mund të propozohet si negociator i Evropës me Rusinë për çështjen e Ukrainës.

Peskov tha se Moska do ta mbështeste një emërim të tillë nëse i dërguari do të angazhohej sinqerisht për një zgjidhje paqësore.

“Nëse ka një negociator, kjo është mirë. Nëse ai është një negociator që përpiqet sinqerisht të lehtësojë arritjen e një zgjidhjeje paqësore, kjo do të ishte edhe më mirë”, tha ai.

MARKETING